“Si popull kemi kaluar shumë pandemi dhe luftëra, edhe këtë do ta tejkalojmë!”

Sipërmarrësi i suksesshëm shqiptar në Diasporë, Lazim Destani, në një intervistë dhënë për Gazetën e Diasporës, e vë theksin tek domosdoshmëria e krijimit të një klime të përshtme biznesi për investime në tregun shqiptar.

Marketing

”Duhet të vlerësohet pa emocione dhe mbi bazën e rrethanave konkrete. Stabiliteti politik, fuqia e institucioneve e veçanërisht gjyqësorit, paanshmëria e autoriteteve, mundësia për të hyrë në biznes me kushte të barabarta, konkurrenca e ndershme, mbrojtja e pronës dhe kapitalit e deri tek shmangia e korrupsionit, janë parakushte institucionale”, theksoi Destani.

I pyetur se si do të ndikojë pezullimi i shumë aktiviteteve për shkak të COVID-19 te sipërmarrësit, biznesmenët dhe investitorët shqiptarë, Destani theksoi se, “padyshim që pandemia e shkaktuar nga COVID-19 po ndikon mbi ekonominë globale dhe pashmangshmërisht edhe në rajonin tonë, në vendet tona. Kjo situatë sigurisht që do të sjellë pasoja te të gjithë agjentët ekonomik (individë, kompani, sipërmarrës, investitorë…), te të gjithë do të ketë ndikim të madh negativ ekonomik dhe financiar. Askush nuk mund ta parashikojë se në çfarë mase do të jetë ky ndikim, por që dëmi do të jetë i madh, nuk ka dyshim. Në radhë të parë, nuk dihet sa do të mbajë kjo gjendje, pastaj cilën anë të ekonomisë do ta godasë më shumë – atë të kërkesës dhe konsumit apo të investimeve dhe prodhimit. E keqja është se goditjet e para do t’i japin efektet e tyre anësore zinxhir, duke i përçuar ato tek sektorët e tjerë të cilët tani në këtë fazë nuk duken të prekur drejtpërdrejt”.

“Sidoqoftë, – shtoi ai, – edhe në të kaluarën ka pasur situata të këtilla, të shkaktuara nga pandemi të ndryshme apo luftëra duke i sjellë dëme jashtëzakonisht të mëdha ekonomisë globale por të gjitha janë tejkaluar, edhe kjo e tanishmja do të kalojë”.

“E kam një përshtypje se ne shqiptarët do ta kalojmë më lehtë se shumë vende të tjera. E them këtë duke pasur parasysh mentalitetin apo natyrën tonë të biznesit, ne jemi shumë riskmarrës, nuk llogarisim shumë mbi rreziqet, bëjmë vendime të shpejta, pastaj kemi natyrën tonë të imunitetit ekonomik (vuajtje të shumë krizave). Afaristët tanë shpeshherë krizat i shikojnë si oportunitete dhe pas tyre dalin edhe më të fuqishëm. Do të doja edhe pas kësaj krize të ndodh kjo”, tha ai.

I pyetur se çfarë mendon se mund të ofrojë Dhoma në këto kushte te reja, Destani u shpreh se, “në këto rrethana Dhoma e Biznesit të Diasporës për çdo ditë duhet të analizojë situatën e anëtarëve të saj dhe jo vetëm! Ajo çfarë mendoj se mund të bëjë Dhoma tani është këshillimi i bizneseve se si mund të veprojnë në këtë situatë, apo bashkëpunimi me institucionet shtetërore për t’ua bartur atyre eksperiencat nga vendet ku operojnë, pra se si mbahet gjallë fryma e biznesit në këto kushte”.