Ministrat për Punë të Jashtme të BE-së në Helsinki do të flasin për zgjerimin dhe për datën për negociata me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Para fillimit të mbledhjes, ministri hungarez për punë të jashtme Piter Sijarto, përsëriti mesazhin për Qeverinë e tij se zgjerimi për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi të veçantë për vendin e tij, por ashpër ka kritikuar “dyfytyrësinë” e vendeve perëndimore.

“Ne jemi për zgjerim të shpejtë të BE-së, dhe përshpejtim të procedurës për anëtarësim dhe hapje të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por përvoja ime tregon se kolegët perëndimor vetëm flasin për zgjerim dhe sjellin vendime kundër, kjo është dyfytyrësi”, tha Sijarto.

Ai shtoi se për Hungarinë si vend fqinj i Ballkanit Perëndimor, zgjerimi i këtij rajoni është me rëndësi të veçantë.

“Shumë më vjen keq që shumë partnerë perëndimor janë dyfytyrësh dhe shtyerja herën e kaluar ishte kundër interesave të Unionit Europian” tha Sijarto duke aluduar për vendimin e qershorit të Këshillit për Punë të përgjithshme të BE-së të shtyjë datën për negociata me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Mbështetje, Maqedonia e Veriut mori edhe nga ministri i Luksemburgut, Zhan Aselborn.

I pyetur nëse i ka për zemër Shqipërinë dhe Maqedoninë, Aselborn tha se BE ka për qëllim të sjellë vendim për negociata me këto dy vende në tetor.

“Shpresoj se do të kemi vendim të mirë në tetor. Maqedonasit shumë kanë punuar. Gjithashtu edhe shqiptarët. Neve na ngelet të bëjmë atë që na përket. Historia tregon se gjithnjë hapen dritare, por kur mbyllen është keq”, deklaroi Aselborn para mbledhjes.

Ministrat e BE-së sot do të mbajnë takim me kolegët e tyre të rajonit, mes të cilëve edhe me ministrin e jashtëm të vendit, Nikolla Dimitrov.

Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë presin fillim të negociatave në tetor. Është e madhe mundësia që vendimi të sillet vetëm për vendin tonë, ndërsa për Shqipërinë, të shtyhet edhe më tej, vend për të cilin vendet anëtare kanë rezerva të mëdha dhe kanë dyshime.