Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ishte i ftuari i “Zona Gol”, për të folur për Flamurtarin dhe problematikat e futbollit shqiptar, veçanërisht për statusin e tij në klub. Komunikimi nisi me një pyetje për fitoren shumë të rëndësishme me Kukësin në Vlorë.

I kënaqur me fitoren me Flamurtarin?

Është hera e parë që fitojmë me Kukësin në kampionat, kemi fituar vetëm një herë në një finale, prej katër vjetësh që jam në krye të Flamurtarit.

A kanë turp ata që duhet të mirëmbanin fushën?

Është aksident dhe nuk duhet t’i sulmojmë ata që e kanë mirëmbajtur për kaq kohë. Në kohën e spërkatjes është dyfishuar sasia e pesticidit dhe është tharë gabimisht bari. Për dy apo tri javë do të jetë gati besoj.

Sa herë është bërë fusha e Flamurtarit?

Katër herë sa jam unë.

Edhe sa kohë do të jeni administrator dhe jo pronar?

Kur të bjerë poshtë komunizmi. Kam katër vjet që them krijoni ekonomi kapitaliste. Klubet shqiptare nuk janë private, por janë të lidhur me ente publike. Vetëm Partizani, ndoshta për aksident, është privat.

I thjeshtë apo i vështirë futbolli?

Është e vështirë, sepse nuk është fusha ime. Fatkeqësisht po i bie në të njëjtin fyell, të përcaktojmë rregullat e lojës.

Themi gjithmonë që Flamurtari luan bukur, por në fund nuk fiton asgjë…

Shpresoj që Flamurtari të na çojë të paktën në Europë. Me bashkinë është e njëjta situatë, nuk janë paguar borxhet e vetme.

A ishte kryetari i bashkisë në stadium?

Nuk ishte sot, na ka takuar një ditë më parë. Nuk duhet ta lidhim çdo gjë me praninë e tij. Unë kam duruar katër vjet, por zgjidhja për punën e borxheve do të shkojë në gjyq.

Sa i përket merkatos, a do të vijë një sulmues i rëndësishëm?

Lojtari që kam kërkuar me insistim ka qenë Ferhan Hasani, ish-sulmuesi i Shkëndijës së Tetovës, më tha që duhet të prisnim, që të kthente përgjigje. I kam thënë shihe dhe ofertën tonë dhe vendos. I ofrova 250 mijë euro, por atje ku ka shkuar (AL-Raed) merr shumë më tepër. Ekubanit i kemi ofruar gjysmën e pagës që merrte te Leeds United dhe e presim deri në fund të merkatos.

Kur do të vishet kuqezi Cale?

Me sa di unë, çështja është në FSHF. Lojtari kur erdhi na tha që është i lirë, pas dy ditësh kam mësuar nga media që është i Kukësit. Kur e pyeta, më tha se nuk është firma ime, është e para dy viteve dhe është ndryshuar data. I thashë shko zgjidhe dhe pastaj eja te Flamurtari. /SS/