Sinirlioglu: Turqia nuk dëshiron luftë, por nëse siguria e saj kërcënohet do të përdorë forcën

Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në OKB, Feridun Sinirlioglu tha se “Turqia nuk dëshiron luftë, por nëse siguria e saj kërcënohet nuk do të ngurrojë të përdorë forcën”, raporton Anadolu. Me kërkesë të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Estonisë dhe Republikës Domenikane, Këshilli i Sigurimit të OKB-së zhvilloi një takim emergjent për të diskutuar lidhur me tensionet në rritje në Idlib.

Marketing

Sinirlioglu në fjalimin e tij tha se në pamjet e radarit është vërejtur se avionët e regjimit dhe Rusisë kanë kryer “fluturim në formacion” gjatë kryerjes së sulmeve ajrore ku humbën jetën 33 ushtarë turq.

Sinirlioglu tha se “Forcat turke në atë rajon ishin vetëm dhe se ato u vendosën në objektiv me qëllim”.

“Sulmet ajrore vazhduan edhe pse më parë ishte bërë koordinimi me shkrim me forcat ruse lidhur me vendndodhjen e autokolonës turke, edhe pse pas sulmit të parë u bënë paralajmërime të menjëhershme”, tha Sinirlioglu, duke shtuar se në objektiv janë vendosur edhe ambulancat që u dërguan për ushtarët e plagosur.

Ai theksoi se Turqia vazhdon dialogun me Rusinë ku dhe një delegacion rus ndodhej në Ankara ditën që është kryer sulmi i poshtër.

“Palës ruse i kemi përcjellë se nuk do t’i braktisim pikat tona të vëzhgimit dhe se do të vazhdojmë përforcimet tona ushtarake”, tha Sinirlioglu.

Sinirlioglu thotë se Turqia ka treguar vetëpërmbajtje maksimale për t’u distancuar nga një konflikt i drejtpërdrejt ushtarak.

“Kjo është një luftë mes të drejtës dhe të gabuarës dhe Turqia të gjitha këto përpjekje i merr përsipër në emër të komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur miliona civilë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë”, tha Sinirlioglu.

Marketing