Situata në Shtip alarmante! Dy mjekë janë pozitiv, mbyllen dy institucione shtetërore

Në 70 fabrika të tekstilit në Shtip janë të punësuar pjesa më e madhe e qytetarëve. Komuna gjendet në lindje të vendit dhe është nga komunat më të goditura në vend nga korona virusi. Përhapet ndërmjet punëtorëve të tekstilit, por edhe në korridoret e spitaleve.

Marketing

Disa të obliguar, ndërsa disa si masë preventive – mbyllin fabrikat. Industria e tekstilit u pauzua për shkak të Kovid-19.

“Pas fundjavës, gjatë kësaj jave tashmë kemi fabrika që mbyllen në mënyrë preventive njëjtë dhe gjatë javës së kaluar. Kemi fabrika tekstili që punojnë me kapacitet të ulur, por ka edhe fabrika që ende punojnë dhe atje nuk ka raste me korona virus,” tha Bllagoj Boçvarski, kryetar i Komunës së Shtipit.

Kryetari i kësaj komune u bëri thirrje edhe fabrikave të tjera, që janë të pakta në numër, që vazhdojnë të punojnë, punëtorëve tu japin pushim kolektiv. Sot mbaroi edhe testimi masiv në konfeksionet. Nga rezultatet e fituara deri më tani, pothuajse nuk ka fabrikë në të cilën nuk ka më së paku një rast pozitiv, jo vetëm nga Shtipi, por edhe te banorë nga Karbinca, Probishtipi dhe Çeshinovo-Oblleshevë, që janë të punësuar në këto konfeksione.

Për shpërndarjen e infektimit, supozohet se janë fajtorë transportuesit, që i kanë transportuar të punësuarit pa i respektuar masat për mbrojtje.

Bllagoj Boçvarski, kryetar i Komunës së Shtipit

-“Kishte edhe të tillë, që në disa momente të caktuara nuk i respektonin masat.”

TV21: A u janë shqiptuar atyre dënime ose a është ngritur procedurë kundër tyre?

-“Po, u janë shqiptuar dënime më shumë transportuesve ku është konfirmuar se ka pasur parregullsi të caktuara.”

Në Shtip janë ndërmarrë disa masa për përballje me virusin. Dezinfektim i hyrjeve banesore, dezinfektim i veturave që hyjnë në qytet si dhe dezinfektim i hapësirave publike.

Kryetari Boçvarski thotë se situata e tanishme është rezultat i mosrespektimit të masave dhe relaksimit.

“Gjenda në Shtip në këto momente është serioze dhe të gjithë duhet të kemi qasje me masa serioze për parandalim dhe mbrojtje. Ne në momentin që po përballeshim, të gjithë u relaksuam edhe si qytetarë, unë kur them si qytetarë e kam fjalën për çdo individ, për shkak se unë si Kryetar komune tregtoj në market dhe unë duhet të respektoj masat,” tha Bllagoj Boçvarski, kryetar i Komunës së Shtipit.

Në Qendrën klinike në Shtip ka 24 pacientë që janë të hospitalizuar me korona virus. Virusi është përhapur edhe në spital, kështu që janë infektuar edhe dy punëtorë shëndetësorë. Janë regjistruar 5 klasterë prej të cilëve numri më i madh vjen nga fabrikat e tekstilit. Për shkak të paraqitjes së virusit në institucionet, janë mbyllur Fondi pensional dhe Fondi shëndetësor. Puna në këto institucione zhvillohet në mënyrë elektronike.

Marketing