S’ka Ronaldo, s’ka fitore – Juventus ndalet nga Lecce

Juventus është befasuar nga Lecce, në kuadër të xhiros së tetë në Serie A.

Marketing

Në mungesë të Cristiano Ronaldo, i cili u pushua nga Maurizio Sarri, Juventus nuk arriti më shumë sesa një barazim 1:1 kundër Lecce.

‘Zonja e vjetër’ kontrolloi takimin qysh nga fillimi i ndeshjes, por në pjesën e parë nuk arriti të gjente rrugën e golit, me skuadrat që shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0:0.

Në pjesën e dytë, ishin mysafirët që zhbllokuan ndeshjen, me Paulo Dybala, i cili në minutën e 50’ u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, shkruan lajmi.net.

Gjashtë minuta më vonë, penallti u akordua edhe në favor të Lecce, pasi De Ligt luajti me dorë. Ishte Marco Mancosu ai që konkretizoi penalltinë në gol, për të barazuar në 1:1.

Goli i Mancosu ishte ai që vendosi këtë takim. Pas kësaj xhiroje, Juventus numëron 22 pikë për pozitën e parë, kurse Lecce ka 7 pikë në pozitën 17.