Skadoi gjendja e jashtëzakonshme, Zaevi dhe Mickoski a do të merren vesh për datën e zgjedhjeve

Në mesnatë skadoi gjendja e jashtëzakonshme, kurse liderët e partive më të mëdha politike pa një marrëveshje për datën e zgjedhjeve.

Marketing

Pas takimit të dështuar, i cili për të tretën herë ishte organizuar te Presidenti Stevo Pendarovski, kryetarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së kanë edhe disa orë kohë për të arritur marrëveshje të ndërsjellë.

Sipas informacioneve të TV21, lideri i Zaevit e ka thirrur Mickoskin ta pranojnë 8 korrikun si datë për zgjedhje. Në qoftë se kjo datë nuk pranohet, me skadimin e gjendjes së jashtëzakonshme sonte në mesnatë, mbetet që votimi të organizohet më 5 korrik.

Zaevi dje nga Strumica porositi se lëshon pe rreth 5 korrikut si datë zgjedhore, duke i bërë thirrje Qeverisë që deri në fund të ditës të kërkojë nga shefi i shtetit, Pendarovski, edhe një vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme, por vetëm në kohëzgjatje prej 3 ditësh, me qëllim që zgjedhjet të mbahen të martën më 8 muajin e ardhshëm.

-“Unë nuk do të bëhem peng i 5 korrikut dhe si datë të qëndroj fiks pas saj. Duke e pasur parasysh se edhe zotëri Mickovski, edhe unë disa herë përmendëm se më e pranueshme është që zgjedhjet të mbahen të mërkurën si ditë jopune. Ja heq dorë nga 5 korriku dhe pajtohem që zgjedhjet të jenë më 8 korrik të mërkurën, ndërsa të hënën dhe të martën të votojnë të sëmurët, qytetarët në vetëizolim dhe ata që janë shtrirë në spital, personat më të moshuar,” tha Zoran Zaev, lider i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE, për TV21 thonë se Mickoski do të prononcohet sot (e diel), duke theksuar se sot është dita më e zezë e korona krizës dhe se Zaevi po spekulon me datën e zgjedhjeve.

-“VMRO-DPMNE-ja së pari këmbëngul për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Lidhur me procesin zgjedhor, insistojmë tërësisht të respektohet Kushtetuta dhe ligjet në Republikën e Maqedonisë. Nuk mund të kemi zgjedhje pa misionin mbikëqyrës OSBE dhe të kemi lista të papastruara zgjedhore. Atë që e dëshiron Zaevi është të ketë zgjedhje ku ne do të numërojmë viktima nga korona, ku nuk do të kemi Listë të pastruar Zgjedhore dhe monitorim ndërkombëtar cilësor. Kjo do të nënkuptonte vjedhje zgjedhore dhe “thertore” zgjedhore, e jo miratim të vullnetit të popullit,” tha Orce Georgievski, VMRO-DPMNE.

Presidenti Pendarovski kërkoi që liderët të vazhdojnë me komunikim të ndërsjellë me qëllim që të arrihet konsensus ndërpartiak për datën e zgjedhjeve. Kryeministri Oliver Spasovski, porositi që tashmë nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme dhe se zgjedhje duhet të ketë, që të gjitha institucionet të kthehen me kapacitet të plotë dhe të ballafaqohen me pandeminë dhe krizën ekonomike. Zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por ishin shtyrë për shkak të epidemisë me koronavirus. /TV21

Marketing