SKANDALI/ Polici i dehur aksidentoi familjen, vajza gjyqtare e nxorri nga burgu

Thuhet se policia është në shërbim të qytetarëve për të mbrojtur shëndetin, jetën dhe pronën e tyre ndaj keqbërësve.

Marketing

Por kjo nuk funksionon kështu gjithmonë, sidomos kur keqbërësi është pikërisht polic.

Abc News ka zbuluar një skandal në Policinë e Elbasanit, i cili për mënyrën se si ka ndodhur përbën një situatë të paprecedent të raportit të Policisë së Shtetit dhe ligjin dhe qytetarët.

Rreth dhjetë ditë më parë, pasi kishte pirë alkool në sasi të mëdha në Gramsh, efektivi i policisë Astrit Manaj, me dëtyrë në komisariatin e këtij qyteti merr makinën pasdite dhe niset për në shtëpi.

Siç raporton abcnews.al, duke drejtuar makinën në gjendje të dehur, aksin Cërrik-Papër ai përplas një makinë tjetër që po qarkullonte në atë aks. Në makinën e aksidentuar nga Astrit Manaj udhëtonin një çift me djalin e tyre dhjetë vjeçar, i cili u plagos.

Menjëherë në zonë vijnë shërbimet e policisë rrugore, por nëse mendoni se këtu fillon zgjidhja e çështjes gaboheni. Astrit Manaj u arrestua në momentin e aksidentit pasi u kap duke drejtuar makinën në gjendje të dehur. Arresti i tij nuk zgjati më shumë se 48 orë pasi dy ditë më pas, në fshehtësi të plotë, gjykata jep masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të.

Nëse do të kishte qenë një qytetar tjetër çfarëdo, ai do të ishte mbajtur në burg, ashtu siç policia njofton për arrestimet e drejtuesve të motorçikletave pa patentë, por ky nuk është rasti pasi Astrit Manaj i ka “krahët e ngrohta”.

Gazetari Aldo Kozarja raporton se ka dyshime të forta se në vendimin për ta nxjerrë sa më parë policin nga burgu dhe fshehjen e ngjarjes ka ndikuar vajza e tij gjyqtare.

Kjo e fundit është gjyqtare në Gjykatën e Beratit.

Ngjarja e rëndë u mor vesh mes kolegëve të Manajt dhe bëri që të ndërhynte SHÇBA për të sqaruara rrethanat e ngjarjes. Pikërisht pas kësaj ndërhyrjeje, pas tentativës për ta fshehur fillimisht ngjarjen, Astrit Manaj është pezulluar nga puna.

Marketing