Skandali, Ramos doli pozitiv pas testit anti-doping dhe UEFA e mbuloi

Sipas Football Leaks, Sergio Ramos ka rezultuar pozitiv ndaj një testi anti-doping të bërë para finales së Champions League të luajtur kundër Juventus në Kardif. Një rezultat ky që është mbuluar nga UEFA.

Marketing

Të dielën e 4 qershorit të 2017-ës një mostër është dërguar në laboratorin e dopingut në Seibersdorf, një qytet në Austri, në jug të Vjenës. Kishte kodin 3324822 dhe është dërguar nga Uellsi. Brenda shishes së mbyllur kanë qenë 110 mililitra urinë të marra nga një lojtar i Real Madrid një natë para finales së Champions League të luajtur kundër Juventus në Kardif.

Vetëm një muaj më vonë, më 5 korrik, drejtori i laboratorit në Seibersdorf ka dërguar një raport në zyrat e UEFA-s. Austriakët kanë analizuar kampionin dhe kanë gjetur gjurmë deksametazoni, një substancë që ka një efekt kundër dhimbjeve ose ënjtjeve të mundshme. Gjithashtu, rrit përqendrimin dhe euforinë. Dhe është pjesë e listës së substancave të ndaluara nga WADA, agjencia ndërkombëtare anti-doping.

Nuk ka qenë e vështirë për stafin mjekësor të UEFA-s për të zbuluar se i kujt ishte ai kampion me numrin 3324822 pas finales së Champions League të luajtur në Kardif. Në fakt, ata kanë patur në zotërim dokumente me emrat e lojtarëve dhe kodet e tyre. Dhe kampioni në fjalë ka qenë i Sergio Ramos, kapiteni i Real Madrid dhe Spanjës, një lojtar që kishte fituar Kupën e Botës dhe dy Europianë deri në atë moment dhe që atë natë fitoi Champions League për herën e tretë. Ai është një nga më të mirët në botë.

Ky informacion nuk është bërë asnjëherë publik dhe dokumenti mbetet i mbyllur në zyrat e UEFA-s. Asnjë masë disiplinore nuk është marrë, as kundër lojtarit dhe as kundër doktorit të Real Madrid, pavarësisht të gjitha anomalive të rastit. Në fakt, mënyra si UEFA e ka mbajtur të fshehtë gjithë këtë histori ngre shumë dyshime në lidhje me luftën anti-doping në elitën e futbollit europian.

Dy ditë pas marrjes së raportit nga Austria, një pjesëtar i grupit anti-doping të UEFA-s ka kontaktuar Ramos për të marrë një shpjegim. Lojtari është përgjigjur më 10 korrik me një deklaratë prej katër rreshtash. Doktori i Real Madrid, ka shkruar ai, e ka mjekuar një ditë para ndeshjes. Të gjitha detajet e tjera, ka bërë të ditur Ramos, janë përfshirë në një “raport mjekësor” të përgatitur nga mjeku. “Shpresoj që kjo të sqarojë plotësisht situatën”, ka qenë mbyllja e deklaratës më shkrim të Ramos.