Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së dhe deputeti i kësaj partie, Ismet Beqiri, ka thënë për KosovaPress se “sa i përket një ftese për nesër, në një takim që është thirrur nga kryetari i Kuvendit, ne qëndrim zyrtar nuk kemi si LDK, por konsideroj që nuk duhet të shkojmë dhe nuk kemi pse të shkojmë thjeshtë sa për të thënë qëndrimin e LDK-së”.

“Kjo është e panevojshme për shkak se ne qëndrimin tonë publikisht dhe vazhdimisht po e themi dhe besoj që përgjigja jonë do të jetë negative për një takim të tillë për nesër”, ka thënë Beqiri.

Madje, ai ka hedhur poshtë çfarëdo mundësie që LDK t’i bashkohet pozitës në bisedimet me Serbinë.

“Sa i përket mundësisë që LDK t’i bashkohet pozitës eventualisht në bisedime me Serbinë ne kemi thënë vazhdimisht dha ai qëndrim i yni mbetet e pandryshueshëm, konsiderojmë që këto institucione janë shumë të dobëta dhe shumë të brishta, jo funksionale dhe ju mungon një legjitimitet dhe fuqi për të marrë vendime”.

“Konsiderojmë që vetëm zgjedhjet e reja mund të nxjerrin institucione kredibile dhe funksionale, pra si rezultat i kësaj po e them edhe një herë ne nuk i bashkohemi kurrfarë ekipi të negociatave për dialogun”.

“LDK-ja ka qenë gjithmonë për dialog, mirëpo jo në këtë formë dhe në këtë mënyrë, si dhe me institucione të tilla çfarë i kemi. Ne na duhet një fuqizim i legjitimitetit të institucioneve dhe kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet votës së lirë të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar udhëheqësit e partive politike parlamentare në Kosovë që të mbajnë takim të hënën nga ora 10:00, me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.

Artikulli paraprakShtëpi prej kartoni afër Bankës Popullore (Video)
Artikulli tjetërTetovari rrëmben djalin e tij nga ish-gruaja