Sokoli flet për sfidën e Kosovës me Çekinë dhe Anglinë, këto janë gjasat e “Dardanëve”

Ish-trajneri i disa klubeve elitare kosovare, Bylbyl Sokoli në një intervistë për KosovaPress, ka dhënë mendimin e tij për përfaqësuesen e Kosovës për dy sfidat e nëntorit.

Marketing

Sipas tij “Dardanët”, mund të marrin rezultat pozitiv në udhëtim te Çekia dhe nëse arrihet kjo gjë, atëherë do të ketë më shumë motiv për ndeshjen ndaj Anglisë.

Sokoli ka lavdëruar formën aktuale të lojtarëve të Kosovës, formë kjo që mund të jetë shumë pozitive për dy ndeshjet e radhës.

Sokoli: Jemi optimist për ndeshjen ndaj Çekisë

“T’u e pas parasysh formën e futbollistëve, t’u e pas parasysh ngritjen e cilësisë në aspektin tekniko taktik sidomos në planin psikik, na bën të gjithëve që e përcjellim futbollin që me Çekinë të jemi optimist. Duhet me cek se paraqitjet e Muriqit, Celinës, Rashicës në kohën e fundit pse jo edhe të Valon Berishës edhe futbollistëve të tjerë sidomos këta që i përmenda sepse luajnë në ekipet cilësore të Evropës, forma e tyre është në ngritje e sipër, unë dhe të gjithë që punojnë në futboll janë optimist para ndeshjes me Çekinë, sepse duhet të marrim për bazë një edicion apo një seri të ndeshjeve prej 17-18 ndeshjeve vetëm një humbje kundër Anglisë”, u shpreh ai.

Sipas tij, nëse fitojmë ndaj Çekisë, motivi do të rritet dhe do të ketë më shumë mundësi që të kemi rezultat pozitiv ndaj “Tre Luanëve” në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ai tha se ndeshja ndaj Çekisë do të këtë rëndësi edhe për ndeshjen ndaj Anglisë.

Sokoli: Fitorja ndaj Çekisë ka rëndësi të madhe për ndeshjen kundër Anglisë

“Pas Çekisë krejtësisht diçka tjetër do të jetë ndeshja me Anglinë në Kosovë, nëse fitohet ndeshja me Çekinë, atëherë optimisti do të shtohet për ndeshjen kundër Anglisë, por unë mendoj se duhet të shkojmë ndeshje për ndeshje dhe tash krejt forca duhet të jetë të orientuar për ndeshjen me Çekinë dhe pas Çekisë, mund të shohim cilët janë gjasat dhe cilët janë mundësitë, përparësitë dhe për ndeshjen me Anglinë janë krejtësisht rrethanat tjera, luajmë me një gjigantë të futbollit, luajmë si vendas dhe këto duhet merren parasysh për me mujt me paraqitë hipoteza të ndryshme”, vazhdoi ai.

Ish-tekniku i shumë skuadrave të njohura kosovare, së fundmi i Prishtinës ka folur edhe për Superligën e Kosovës në futboll.

Sokoli: Tetë vendet e para janë në garë për titull

“Tabela e klasifikimit flet vet, domethënë në krye të tabelës është Ballkani me formë më stabile, me lojë më cilësore dhe me plot meritë është në vendin e parë, ka tregu cilësi, organizim të gjitha epitetet i takojnë Ballkanit. Në formë me pak stabile kanë qenë ekipet të cilët që e përcjellin Ballkanin që i kemi cilësu si kandidatë për vet kreun, është ende herët diferenca nuk është e madhe, do të thotë prej vendit të tetë deri të vendi i parë diferenca shumë është e vogël, domethënë vendi i tetë ka sa di unë nëntë pikë kurse të vendi i katër është diferenca pesë pikë që është shumë e vogël”, tha ai.

Ndërsa për fitimin e titullit, ai tha se favoriti kryesor mbetet Ballkani i ndjekur nga Gjilani, Drita, Prishtina dhe Llapi, të cilët po tregojnë cilësitë e duhura.

Sokoli: Ballkani është favoriti kryesor i ndjekur nga Gjilani, Drita, Prishtina dhe Llapi

“Është herët për titull, por të gjithë ekipet që janë prej vendit të tetë mund të inkuadrohen për luftë për titull, por aty Gjilani, Drita, Prishtina, Llapi të gjithë ata kanë potenciale dhe kanë cilësi që mund të kërkojnë titullin e kampionit. Është mirë që është numri i madh i ekipeve që luftojnë për kreun e tabelës, kurse për rënie veç janë nda tri ekipe dhe e katërta kërkohet dhe po mendoj që lufta për titull është e qartë, tash për tash Ballkani është favoriti kryesor dhe në përcjellje të Gjilanit, Dritës, Prishtinës, Llapit të cilët vërtetë kanë treguar cilësi”, shtoi ai.

Sokoli foli edhe për të ardhmen e tij duke thënë se ka vendosur të pushojë deri në janar dhe pastaj do të shoh se cilat klube do të shprehin interesim.

Në fund, Sokoli ka shtuar se ky kampionat është shumë interesant, pasi, tetë skuadrat e para në tabelë janë duke luftuar për titullin e kampionit.

Marketing