Sot amnistia, ja sa persona shpëtojnë

Ligji për amnisti i përgatitur nga Grupi interpartiak parlamentar për pajtim, reforma dhe integrim, i njohur ndryshe si “Grupi për pajtim”, do të miratohet para se të dalin fjalët përfundimtare të prokurore Villma Ruskovska, ndërsa aktakuza fillestare “terrorizëm” do të zëvendësohet me aktakuzë “bashkim për veprimtar armiqësore”. Ky ligj, siç merr vesh gazeta KOHA, pritet të miratohet sot (e martë) me procedurë të shpejtë në seancë parlamentare.
Zyrtarë të partive në pushtet i kanë thënë gazetës se amnistia parashihet për rreth 10 të akuzuar pë4 sulmin në Parlament, duke përshirë këtu pjesën më të madhe të deputetëve të VMRO-së të akuzuar se kanë hapur dyert dhe kanë drejtuar turmën drejt sallës së konferencave në Parlament.

Marketing

“Pritjet e shumicës parlamentare janë që ky Ligj për amnisti të votohet para se të dalin fjalët përfundimtare të prokurores Villma Ruskovska, e cila pritet të kumtojë edhe vendimi për rikualifikim të veprës nga ‘terrorizëm’ në ‘rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit’ për të cilën akuzohen 31 persona, ndërsa dy për ndihmë”, thonë në Grupin për pajtim.

Deputeti i përjashtuar nga VMRO, tani pjesë e grupit të ri parlamentar, dhe njëherësh anëtarë i këtij grupi, Zekir Ramçilloviq, ka konfirmuar ditë më parë se Ligji tani është gati dhe se pret mbështetje edhe nga kolegët e VMRO-së.
Deri tani të gjitha Grupet parlamentare, përpos deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe të BESËS së Bilall Kasamit që kanë kundërshtuar, janë shprehur se do të mbështesin amnistinë.

Se do të ketë rikualifikim të veprës është konfirmuar edhe nga kryeministri Zoran Zaev, i cili ditë më parë paralajmëroi se Ligji i ri, përveç amnistisë për të gjithë që nuk kanë marrë pjesë në dhunë dhe nuk kanë qenë organizatorë, do të sjellë dënime edhe më të vogla se 10 vjet. “Nenet në ligjin që do të sjellin deri në dënimin e ardhshëm nuk do të jenë ‘terrorizëm’ me mbi 10 vjet dënim, por do të jenë dënime më të vogla fillestare. Por, dënime do të ketë. Përmes ligjit do të dërgohet porosia se dënimi duhet të ekzistojë. Porosia më e rëndësishme është që nuk do të ketë përzierje në legjislacion”, është shprehur Zaevi.

Ndërkaq, kryetari i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski, ka theksuar se deputetët e partisë që përfaqëson ai, vet do të vendosin se a do ta mbështesin Ligjin për amnisti pasi ta kenë shqyrtuar. Megjithatë, lideri opozitar është shprehur se ka dilema rreth ligjit. “Çdo zgjidhje ligjore për personat që janë në ndjekje politike, VMRO DPMNE do ta mbështes. Por, dua të them se qëllimi i këtij ligji dihet qartë, cilët persona do të amnistohen dhe në opinion ka qarkulluar edhe arsyeja pse është sjell ky ligj”, ka theksuar Mickovski, duke aluduar se Ligji sillet që të amnistohen deputetët e VMRO-DPMNE-së që votuan për ndryshimet kushtetuese.

Në Parlament tashmë hapur flitet se me amnisti, së paku dhjetë persona do të lirohen. Përveç tre deputetëve Krsto Mukoski, Sasho Vasilevski dhe Luben Arnaudov, nuk dihet akoma nëse do të lirohet edhe deputeti Lupço Dimovski dhe Johan Tarçullovski. Dimovski, ishministër i Bujqësisë, edhe në gjykatë ka mohuar ta ketë drejtuar turmën nëpër Parlament, ndërsa është shprehur se nuk ka bërë ndonjë vepër tjetër për çka duhet të përgjigjet penalisht.
Amnisti, me gjasë nuk do të ketë për të punësuarit e akuzuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe për ish shefin e tyre Mitko Çavkov, megjithatë të njëjtit mund të dënohen nën 10 vite burg, ashtu sikurse parasheh aktakuza “bashkim për veprimtar armiqësore”.

Ndryshe, pikërisht miratimi i Ligjit për amnistinë e 27 prillit ishte njëri ndër kushtet kryesore të tetë deputetëve të VMRO-së për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit. (koha.mk)

Marketing