Sot bëhen homazhe për Adem Demaçin

Tri ditë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, i cili të enjten ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare, të shpallë tri ditë zie në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës ndërkaq, ka thirur për sot një seancë komemorative në orën 11:00 për të rikujtuar jetën dhe veprën e Adem Demaçit.

Ndërkaq nga ora 12:00 do të bëhen homazhe.

Demaçi, veprimtar politik dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, në Kosovë njihet si njeriu që u bë simbol i rezistencën në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj. Për shkak të pikëpamjeve të tij politike, ai kishte vuajtur një dënim prej 28 vitesh në burgjet e ish-Jugosllavisë e më pas të Serbisë, andaj edhe shpesh është quajtur edhe si “Mandella i Ballkanit”.

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lartë figurën e veprimtarit të njohur politik Adem Demaçi.

“Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojnë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore”, është shprehur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se Demaçi, gjithë jetën ia kushtoi shërbimit për atdheun.

Liderët politik e kanë cilësuar Demaçin edhe si hero të Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar se “vepra e Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën e armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës”.

Adem Demaçi pritet të varroset të shtunën, me ceremoni shtetërore.

evn