“Tarifa”, sot aktgjykimi për ish drejtorin e ELEM-it

Sot në Gjykatën Penale të Shkupit duhet që të shqiptohet aktgjykimi për rastin “Tarifa”, një prej lëndëve të ish Prokurorisë Speciale Publike, e cila tani është në kompetencë të Prokurorisë Publike, njofton Portalb.mk.

Marketing

Në rastin “Tarifa”, i akuzuar është ish drejtori i përgjithshëm i ELEM-it, Dejan Boshkovski, por edhe Metodij Stojmenov dhe Nena Gjorgjovski, për furnizim të paligjshëm të sistemit softuerik për nevojat e ndërmarrjes shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” me vlerë prej 4 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe autorizimin në procedurën për furnizimin e softuerit “ERP sistem”. Të akuzuarit me moskryerjen e detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konsorciumi, i cili më vonë e fitoi tenderin të kualifikohet në fazën e dytë të negocimit gjatë furnizimit, edhe pse nuk ka dorëzuar dokumentacione.

Të gjithë të akuzuarit që nga fillimi i gjykimit janë deklaruar se nuk ndjejnë faj. Prokurori Trajçe Pelivanov në fjalët hyrëse të lëndës tha se të akuzuarit e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare për furnizim të paligjshëm të sistemit të softuerit për nevojat e “ELEM-it” me çka i kanë shkaktuar dëm kompanisë prej 456.560 euro.

Marketing