Në Gjykatën Penale në Shkup sot do të zhvillohet seanca gjyqësore për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.

Prokuroria për krim të organizuar ka ngritur akuzë kundër 30 personave për këto ngjarje të përgjakshme në Kuvend, por nuk dihet organizatori i skenarit të dhunës.

Më 20 qershor të vitit kaluar Prokuroria Publike njofton se lënda për 27 prillin do të hetohet në dy pista. Veçmas dhunës, Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion do ta marr një pjesë të lëndës duke u bazuar në konstatimet se në natën e përgjakshme ka pasur krim të organizuar.

Ndërkaq më 28 nëntor 2017, me urdhër të Prokurorisë Publike, policia arreston Mitko Çavkovin, deputetët e VMRO-DPMNE-së, organizatorët e protestave Bogdan Ilievski dhe Boris Damovski, ish drejtorin e Operës dhe Baletit, Igor Durllovski dhe dhjetëra persona të tjerë. Deputetët u lanë të lirë për shkak të imunitetit, ndërsa personat tjerë bashkë me Mitko Çavkov përfunduan në burgn hetues të Shutkës.

Tre ditë më pas, Kuvendi miratoi heqjen e imunitetit për 6 deputet të VMRO-DPMNE-së. Në dhjetor, Gjykata Penale caktoi masën e paraburgimit 30 ditorë për tre deputet të VMRO-DPMNE-së si të dyshuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Prapa grilave në burgun e Shutkës për 30 ditë qëndruan deputetët Kërsto Mukoski, Sashe Vasilevski dhe Ljuben Arnaudov.

Ndërsa, për deputetët Zhaklina Peshevska, Lupço Dimovski dhe Johan Tarçullovski, ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Mirëpo, të gjithë të lartpërmendurve, pas ankesave dhe garancive të ofruara, u është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.