Sot është dita e të dashuruarve, Shën Valentini. Çiftet e dashuruar e konsiderojnë këtë ditë si të shënuar dhe me këtë rast ata i bëjnë dhurata njëri-tjetrit. Shumë dyqane dhe restorante që herët në mëngjes në kryeqytet kishin nisur zbukurimet me ngjyrën e kuqe. Gjithashtu lajmërimet shumta janë shpërndarë me rastin e kësaj feste, ku tregohen ofertat e dyqaneve dhe festat që do të organizohen nga lokalet në këtë ditë të veçantë për ta.

Por çfarë është festa e Shën Valentinit në të vërtetë? Eh, ajo është një legjendë metropolitane që ka nisur të rrëfehet në fillim të viteve 1800 nga shkrimtarët evangjelistë të Anglisë së kohës së mbretëreshës Viktoria. Madje, Shën Valentini nuk është aspak shenjti i dashurisë; Shën Rafaeli është më shumë se ai, mbrojtësi i zemrave të dashuruara. Ndërkohë që Shën Rafaeli është shenjtori i takimeve të këndshme, flirteve dhe romancave.

Megjithatë, festa që mban tashmë emrin e shenjtit të “gabuar”, celebrohet si një festë dashurie në të gjithë botën. Në Evropë kjo festë ka mbërritur vetëm diku andej nga vitet ’60 dhe çuditërisht në vitin 1969 Kisha e hoqi shenjtorin që përfaqëson festën nga kalendari zyrtar i emrave të shenjtëve. Nëse do të shikoni me kujdes, 14 shkurti është dita kur përkujtohen shenjtorët Ciril dhe Metodi, të cilët shkuan të përhapnin ungjillin në Rusi, në shekullin e nëntë.

Historia

Në fakt Shën Valentini ka ekzistuar me të vërtetë, por ai nuk ka qenë ndonjëherë shenjti i dashurisë. Këtë tezë e mbështet shkrimtari Francesco Pacifico që ka shkruar “të parën histori të vërtetë” të Shen Valentinit, ku tregon se çdo gjë që ne dimë nuk është e vërtetë, përveç marketingut. Libri ka një ton sarkastik, por është krejtësisht i dokumentuar.