Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion ka nisur dje hetimet për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla, pas publikimit nga Televizioni ABC NEWS të një videoje, ku sipas autorëve, ai shfaqet duke thithur kokainë.

Gazetari i njohur i TV ABC, Artan Hoxha, thotë se “pamjet janë marrë nga një kamera sigurie në një mjedis publik disa kohë më parë dhe SPAK ka nisur hetimin mbi faktin e videos së publikuar.

Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, mohoi gjithçka, duke deklaruar në rrjetet sociale se ajo video, ku ai pretendohet se po merr kokainë, është një montazh, se ai po shantazhohet dhe do t’i drejtohet gjykatës.

Por gazetari Hoxha thotë se nuk mund të tregojë lokalin ku është filmuar ngjarja prej sistemit të kamerave të një policie private, dhe as personat që e kanë shantazhuar apo joshur me të holla në takime konfidenciale për të mos e shfaqur videon, por ai “është mjaft i sigurtë, që personi në video është pikërisht kryetari i bashkisë së Bulqizës dhe se në të nuk ka montazh, sepse kronometri lëviz lirisht”.

Kryebashkiaku Alla shkroi në faqen e tij në Facebook se “Bulqizën sot nuk e drejton më Partia Demokratike, atyre ju është prerë rruga e grabitjes së pasurive të saj, por kthehen të gjithë bashkë në montazhierë videosh”.

Por gazetari Hoxha tha se nuk mund të tregonte në publik mbi burimet e asaj videoje dhe mënyra se si i ra ajo në dorë, për të mos rrezikuar jetën e personave, që e kanë ndihmuar të bëjë punën si gazetar.

Ai shtoi se video i ra në dorë rastësisht e cila në fakt i ra në dorë rastësisht, por më pas bëri disa muaj verifikime dhe identifikime të sakta.

Ndërsa SPAK ka nisur hetimet dhe zoti Alla njoftoi se u nis drejt Tiranës që të ngrejë padi ndaj një ish-deputeti të opozitës,

Partia Demokratike kërkoi shkarkimin e tij nga detyra dhe ndjekjen penale të tij për moskallëzim krimi.

PD deklaroi se është kryeministri Edi Rama ai që duhet larguar nga pushteti, sepse nxiti bashkëqeverisjen me krimin dhe qëndron në pushtet me mbështetjen e krimit.