Maqedonia një periudhë të gjatë kohore është e ekspozuar në një veprimtari propaganduese subversive intensive, të lidhur me integrimet e vendit në BE dhe në NATO, theksoi sot ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski.

Pas propagandës, theksoi, qëndron një strukturë e vogël kriminale e cila nuk vepron në mënyrë ideologjike, por dëshiron t’i realizojë interesat e veta personale.

Bëhet fjalë për një grup të vogël dhe të dobët, i cili për shkak të interesave të veta personale është zëdhënës në një strukturë të caktuar, ndërsa qëllimi është që në opinion të krijohet përshtypje se në Maqedoni ka masë kritike që do të mund t’i parandalojë integrimet në BE dhe në NATO.

“Këtu përdoret edhe fuqia në propagandën mediatike. E gjithë kjo nuk bëhet në bazë të ideologjisë, por në bazë të krimit. Ata përmes këtyre proceseve shikojnë si të nxirren nga kallëzimet penale të ngritura kundër tyre apo njerëzve të tyre të afërt”, theksoi ministri, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve nga Pavle Bogoevski.

MPB dhe shërbimet e tjera kompetente në bashkëpunim me shërbimet partnere në RM e observojnë të gjithë gjendjen lidhur me rreziqet eventuale për vendin, por asnjë hetim nuk guxon të udhëhiqet përmes mediave.

Kryeministri Zoran Zaev nga fundi i muajit zbardhi se biznesmenë prorusë u kanë paguar pjesëmarrësve në protestat dhe se policia për pagesat e tilla ka kuptuar pas arrestimit të disa pjesëmarrësve në protestat e dhunshme para Kuvendit muajin e kaluar, kur marrëveshja me Greqinë hyri në procedurë kuvendore. Përmenden shuma prek 13 deri në 21 mijë dollarë për organizimin e protestave të dhunshme para referendumit.