Specializantët e Stomatologjisë pa rroga që nga shtatori

Specializantët e Stomatologjisë të cilët e kryejnë me devocion punën e tyre, ende nuk kanë marrë as pagën e parë. Ministria e Shëndetësisë, më herët u pati premtuar se pagën e parë do ta marrin në tetor të këtij viti.

Marketing

Madje specializantët ende nuk kanë nënshkruar asnjë lloj marrëveshje. Të revoltuar, përkujtojnë ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe për mosmbajtjen e premtimit të dhënë para tre muajsh.

“Kërkesat tona për kompensim mujor me të holla nuk janë realizuar. Duam të përkujtojmë deklaratën e ministrit të Shëndetësisë i cili tha se paga e muajit shtator do të merret në tetor, tani është 10 dhjetor ndërsa ne ende nuk kemi parë dhe as nuk kemi nënshkruar asnjë marrëveshje. Ne nuk jemi subjekt për manipulim dhe kërkojmë të vlerësohemi sipas kontributit tonë, presim që përpjekjet tona së shpejti të marrin zgjidhje pozitive”, tha Milan Aceski- Specializant.
Më 19 shtator, pas protestës së specializantëve, ministri i Shëndetësisë, i habitur nga protesta e tyre, deklaroi se problemi i tyre tashmë ishte zgjidhur dhe se do të fillonin të merrnin paga.

“Me të vërtetë nuk e di se për çfarë po protestojnë dhe çfarë garancioni shtesë kërkojnë, kur e gjithë puna veç më është në procedurë në Fondin për Sigurim Shëndetësor. Domethënë mjetet e premtuara do t’i marrin nga muaji shtator ashtu siç u bisedua dhe siç u premtuam atyre. Ndoshta kanë pritur që të hollat t’i marrin në shtator, por paga e muajit shtator merret në tetor”, tha Venko Filipçe – Ministër i shëndetësisë.

TV21 sot kontaktoi kabinetin e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me këtë problem. Nga atje thonë se veç më janë marrë vesh me Ministrinë e Financave dhe se specializantët do t’i marrin pagat të cilat i meritojnë. Nuk precizuan se kur do të ndodhë kjo gjë.

“Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka siguruar mjete për të paguar specializantët privat për punën të cilën e bëjnë, gjithashtu mjetet tani më janë transferuar në Klinikën Universitare për Stomatologji. Specializantëve privat të stomatologjisë do t’u paguhen plotësisht të gjitha pagat për punën e tyre”, u shprehën nga Ministria e Shëndetësisë.

Specializantët edhe më tutje kërkojnë masa konkrete. Sipas tyre ky është shansi i fundit për të arritur marrëveshje. Për ndryshe, thonë ata, do të reagojnë në një mënyrë më radikale. Përndryshe, specializantët e stomatologjisë paguajnë nga 3 mijë deri më 5 mijë euro për specializim.

Marketing