‘Specialja’, Ramush Haradinaj dhe Jakup Krasniqi intervistohen sot në Hagë

Në orën 09:30 duhet të ketë filluar në Hagë marrja në pyetje e Ramush Haradinajt, kryeministër ende në detyrë i Kosovës, nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte. Në pyetje do të merret sot edhe Jakup Krasniqi, ish-kreu i Kuvendit.

Marketing

Pritet që policia holandeze të shtojë prezencën në perimetrin e tribunalit pasi mund të organizohen protesta nga komuniteti shqiptar që jeton në këtë shtet.

Shukri Buja, një tjetër ish-drejtues i UÇK-së, u intervistua ditën e djeshme. Atij iu lexuan pyetjet nga prokurorët, por ka refuzuar të përgjigjet. Buja nuk është pyetur për çështje të veçanta, por për rolin e zinxhirit komandues në luftë.

Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, gjatë periudhës 1998-2000. Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por statutet e saj u lejojnë prokurorëve dhe gjyqtarëve ndërkombëtarë që t’i zhvendosin procedurat jashtë vendit.

Ajo u miratua me ligj në Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2015-të dhe u bë funksionale në korrik të 2017-ës.

Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale u nxit nga një raport i Këshillit të Evropës i vitit 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës së viteve 1998/99.

Dhjetëra ish-luftëtarë të UÇK-së janë marrë në pyetje që prej janarit të këtij viti dhe ekspertët e së drejtës penale ndërkombëtare thonë se pas intervistimeve pritet të ngrihen edhe akuzat.