Spektakël në Madrid, fiton Reali

Katër gola të shënuar, katër ndërhyrje të VAR-it, një super gol i anuluar dhe një karton i kuq. Fituesi i kësaj sfide të mbushur me emocione ka qenë Real Madrid, që ka mposhtur rivalët me rezultatin 3-1, duke vendosur dy rekorde në fushën e armiqve. Goli që ka zhbllokuar takimin është realizuar nga Casemiro (16′) dhe ka qenë më i shpejti që Atletico Madrid ka pësuar në një ndeshje të kampionatit të luajtur në “Wanda Metropolitano”.

Griezmann (25′) ka barazuar përkohësisht për vendasit, një gol për të cilin është dashur ndërhyrja e VAR-it, por Sergio Ramos ka kthyer në avantazh ekipin e Solari-t pas penalltisë së fituar nga Vinicius, gjithashtu e vendosur nga VAR-i. Kjo ka qenë ndeshja e parë në të cilën Atletico Madrid ka pësuar dy gola në pjesën e parë të ndeshjeve të luajtura në të gjitha kompeticionet në “Wanda Metropolitano”.

Pjesa e dytë e derbit të Madridit ka filluar me një gol të Alavaro Morata-s, por që është anuluar pas ndërhyrjes së VAR-it.. Një vendim që do të shkaktojë shumë polemika, edhe pse është bërë fjalë për një pozicion jashtë loje milimetrik. Ish-sulmuesi i Chelsea ka qenë protagonist edhe në minutën e 68-të, kur ka protestuar për një penallti, e cila i është mohuar nga VAR-it. Goli i tretë dhe i fundit i takimit është shënuar nga Bale (74′), i cili ka shkuar në kuotën e 100 realizimeve me fanellën e Real Madrid në të gjitha kompeticionet.

Atletico Madrid e ka mbyllur ndeshjen me dhjetë lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Thomas dhjetë minuta para fundit. Kjo fitore, e pesta radhazi për “Los Blancos”, ka ndihmuar madrilenët të ngjiten në vendin e dytë të renditjes me 45 pikë, pesë larg Barcelona-s, që do të luajë nesër në fushën e Bilbao-s. Atletico zbret në vendin e tretë.