Stambolli pret Liverpool-Chelsea, finalen e madhe evropiane

Gjithçka fillon në këtë sezon futbollistik me më të mirat e Evropës. Sidoqë të shkojë finalja e Superkupës së Evropës, trofeu do të mbesë në Britaninë e Madhe, pasi mbrëmjen e sotme në orën 21:00 në stadiumin e Beshiktashit në Stamboll do të përballet Liverpool-i, fituesi i Champions League-s me Chelsea-n, fituesin e Kupës Europa League.

Marketing

Stambolli është vendi ku Liverpool-i ka një nga kujtimet më të bukura evropiane, fitoren me përmbysje ndaj Milanit të Ancelotti-it në vitin 2005, të finales së Champions League.
“Liverpool-i ka kujtime vërtet shumë të bukura nga ky qytet, por kanë kaluar 14 vite. Ne duam të fitojmë trofeun sot dhe kush mendon se e kemi të lehtë e ka gabim,” tha Jurgen Klop trajneri i Liverpulit.

Në javën e parë të kampionati Chelsea u shkatërrua 4-0 nga Manchester United duke dhënë përshtypjen e një gjendjeje jo të mirë edhe në prag të kësaj finaleje. Megjithatë trajneri i bluve të Londrës, Frenk Lampard i kërkon të tijëve të mbajnë kokën lart, pasi rezultati i asaj ndeshjeje nuk tregon paraqitjen reale të skuadrave në fushën e lojës.

“Me të vërtetë na është larguar një yll nga ekipi i Hazard por duhet të shohim përpara. Kemi të rinj që unë i besoj dhe ata duhet ta dinë që ky është një moment i veçantë në karrierën e tyre, për këtë arsye duhet ta shfrytëzojnë,” deklaroi Lampard.

Sa i përket statistikave, Liverpool-i e ka fituar tre herë trofeun e Superkupës së Europës, në vitin 1977, 2001 dhe 2005. Ndërkohë Chelsea e fitoi këtë trofe në vitin 1998 dhe e ka humbur në dy finalet në vitet 2012 dhe 2013.

Futbolli europian do të hapë një erë të re me finalen e sotme, pasi ajo do të gjykohet nga një arbitre femër, francezja Stefani Frapard. Në vitin 2014 ajo drejtoi një ndeshje në kategorinë e dytë franceze, duke arritur në kategorinë e parë më 28 prill të këtij viti.

Ndërkohë sa i përket masave të sigurisë për ndeshjen e sotme, mediat vendase konfirmojnë se Stambolli është blinduar nga forca të shumta policie, për të evituar përleshjet mes tifozëve anglezë, ngjarje të cilat kanë qenë prezente në përballjet e klubeve britanike nëpër Europë, ndërkohë që kërcënimet për sulme terroriste mbeten gjithmonë prezente.

Stadiumi “Beshiktash Park” është inaguruar në vitin 2016, nën rrënojat e stadiumit të vjetër dhe ka një kapacitet prej 41 mijë vende. Të gjitha biletat janë të shitura, pjesa më e madhe sigurisht nga tifozët britanikë, por nuk mungojnë dhe tifozët vendas që kryesisht janë pro Liverpool-it.