Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg arriti në Shkup, në vigjilje të referendumit të caktuar për më 30 shtator.

Në aeroportin e Shkupit Stoltenberg u prit nga ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s nesër do të ketë takime me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, me kryeministrin Zoran Zaev, me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, ndërsa njeriu i parë i NATO-s duhet të takohet edhe me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe me përfaqësues të lartë zyrtarë, informon pres-shërbimi qeveritar.

Pas takimit Zaev dhe Stoltenberg do të mbajnë pres-konferencë.

Nesër në agjendën e tij krahas aktiviteteve dhe takimeve, sekretari i përgjithshëm do ta vizitojë edhe Stajkovcin ku në vitin 2016 ushtarë dhe pajisje të NATO-s ishin angazhuar për tejkalimin e pasojave nga vërshimet.

Stoltenberg do ta vizitojë edhe kazermën Ilinden ku do të merr pjesë në ushtrimin demonstrues të pjesëtarëve të forcave speciale.
Në kazermën e Ilindenit janë paraparë deklarata për mediat nga Stoltenberg dhe Shekerinska.

Në vigjilje të referendumit, në Shkup këtë javë vijnë edhe kancelarët e Gjermanisë dhe të Austrisë, Angela Merkel dhe Sebastian Kurc.