Stoltenberg: Jam i bindur se Marrëveshja e Prespës do të implementohet në të dyja vendet

Mendoj se mund ta përfundojmë procesin e ratifikimit dhe ta ndryshojmë protokollin për integrimin e IRJM-së në NATO para zgjedhjeve, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, thotë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për gazetën greke “Katimerini”.

Marketing

Shton se gjithçka varet nga ajo kur tek ne do të finalizohen ndryshimet kushtetuese, por gjatë vizitës në Shkup i është theksuar se kjo mund të përfundojë në fillim të vitit 2019 dhe menjëherë më pas mund të nënshkruhet edhe protokolli për anëtarësim.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina, sekretari i përgjithshëm i NATO-s në një intervistë për “Katimerini” jep porositë se edhe Shkupi edhe Athina duhet t’i realizojnë obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Prespës, se nuk ekziston mënyrë për hyrje në NATO pa marrëveshjen për emrin, por flet edhe për përshtypjet dhe përvojën nga vizita në Shkup.

“Nuk ekziston mënyrë tjetër që IRJM-ja të hyjë në NATO nga ajo të dakordohet për emrin me Greqinë dhe këtë e sqarova në të gjitha deklaratat e mia në Shkup. Me rëndësi është që të mos ekzistojë iluzion se mund të thonë ‘jo’ për marrëveshjen dhe ‘pro’ për NATO-n. Për disa në IRJM kjo do të ishte një zgjidhje e mirë, por kjo zgjidhje nuk ekziston. Isha shumë i qartë lidhur me këtë.

Duhet të shmanget një keqkuptim i mundshëm se ekziston rrugë drejt NATO-s pa zgjidhjen e emrit. Një marrëveshje, ka qenë, është dhe do të jetë parakusht për integrim në NATO”, thotë Stoltenberg në intervistë.

Ai thotë se është i sigurt se edhe Greqia do t’i plotësojë obligimet e saja nga marrëveshja, ndërsa nuk sheh pse nuk do ta bënte këtë, kur që në vitin “2008 qartë e shprehu mbështetjen për integrimin e IRJM-së në NATO kur do të zgjidhet emri”.

I pyetur për vizitën tek ne, Stoltenberg për “Katimerini” hollësisht i sqaroi aktivitetet në Shkup, tha se klima ishte shumë e mirë, ndërsa lidhur me Marrëveshjen e Prespës thotë se është kompromis, ndërsa kompromiset çdoherë dhembin, por nga ana tjetër “alternativa për bashkëjetesë me një kontest për emrin që e bllokon vendin nga bashkësia ndërkombëtare është e keqe për të gjithë”.

“Me të vërtetë besoj se bëhet fjalë për një marrëveshje historike. Mundësi historike që të zgjidhet çështja për emrin. Ky është një kompromis, asnjëherë nuk është lehtë të bëhen kompromise. Këtë e kemi parë në IRJM, në Shkup, gjithashtu e pamë në Greqi. Natyrisht kjo është mirë për këtë vend, por gjithashtu është mirë edhe për Greqinë, për Evropën, për të gjithë ne. Mbetet gjithashtu të tregohet cili do të jetë rezultati nga referendumi”, sqaron sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Një pjesë e intervistës të Stoltenbergutm për “Katimerini”-n ishte publikuar të premten në mbrëmje në edicionin qendror të lajmeve të televizionit “Skaj”.
Siç të shtunën publikoi MIA, sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se në të gjitha takimet politike të tij në Shkup i është deklaruar se nëse votohet “për” në referendum, marrëveshja do të implementohet.

Në pyetjen çfarë nëse marrëveshja kalon tek ne, por jo edhe në Greqi, duke marrë parasysh pozicionet e partnerit të koalicionit në Qeveri dhe të liderit të Demokracisë së Re opozitare, Stoltenberg tha se me këtë do të sillej në rrezik kredibiliteti i Greqisë.

“Jam i bindur se marrëveshja do të implementohet në të dyja vendet, sepse është thelbësore për kredibilitetin kombëtar kur një vend nënshkruan marrëveshje, ndërsa pala tjetër e përmbush, atëherë të dyja vendet do ta përmbushin marrëveshjen. Gjithçka tjetër seriozisht do ta minonte kredibilitetin kombëtar të cilitdo qoftë vend”, thotë Stoltemberg dhe shpreh optimizëm se do të ruhen afatet e parapara kohore dhe marrëveshja do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina të shtunën, duke u përgjigjur në pyetjen, çfarë nëse ndonjë qeveri tjetër në Maqedoni i anulon ndryshimet kushtetuese dhe reformat, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg për “Skaj” tha se ndryshimi i Kushtetutës është një proces shumë i ndërlikuar, ndërsa gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare duhet të ekzistojë edhe pak besim.

Marketing