Stoltenberg: NATO përgatitet t’u përgjigjet sfidave të reja e të paparashikueshme

E ndeshur me një populizëm në rritje në Evropë dhe në Amerikën e Veriut, shumë pyesin nëse organizatave shumëpalëshe si NATO—ja u ka kaluar koha. Këtyre pyetjeve u bëri jehonë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e quajti NATO-n në “vdekje klinike”.

Marketing

Por Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg thotë se NATO-ja mbetet aleanca më e suksesshme në historinë e njohur të njerëzimit. Në një intervistë me korrespondenten e shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe, Jela de Franceschi, zoti Stoltenberg flet për përpjekjet që po bën aleanca për të ecur me kohën dhe për t’iu përgjigjur sfidave dhe rreziqeve të reja:

Ndryshime dhe sfida politike kanë tronditur fuqitë perëndimore në të dyja anët e Atlantikut, por nuk ka vend për t’u shqetësuar për të ardhmen e NATO-s, thotë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg:

“Ka pasur edhe më parë tema serioze ku janë vërejtur dallime mes aleatëve, por si edhe në shumë raste më parë, kemi arritur të qëndrojmë të bashkuar rreth detyrës tonë thelbësore: të mbrojmë njëri-tjetrin mbi parimin ‘një për të gjithë e të gjithë për një’. E bëjmë sepse i shërben interesave tonë të sigurisë pasi jemi më të sigurtë e më të fortë së bashku”.

NATO-ja mbetet aleanca më e suksesshme në historinë e njohur të njerëzimit, thotë zoti Stoltenberg. Ky sukses është siguruar falë unitetit mes partnerëve, edhe në kohë divergjencash mbi tema të caktuara. Një tjetër faktor i rëndësishëm është aftësia e aleancës për t’iu përshtatur kohërave. Kjo aftësi, thotë sekretari i përgjithshëm i aleancës, do ta ndihmojë këtë orgazitatë të ballafaqohet me sfidat e shekullit të 21-të:

“Tani po ngrihen fuqi të reja, për shembull Rusia, e cila mund të mos jetë një fuqi ekonomike, por është fuqi ushtarake. Po ashtu Kina, e cila ka deklaruar se do t’ia kalojë Amerikës brenda vitit 2025.

“Po jetojmë në tjera kohëra. Përballemi me kërcënimin e terrorizmit. Ballafaqohemi me zhvendosje të balancës si dhe ndeshemi me kërcënimin e sulmeve kibernetike”.

Aleanca po përshtatet për të ecur me kohën, thotë zoti Stoltenberg. Ai pohon se ngritja e fuqive të reja me ambicje globale e vë NATO-n përballë nevojës për t’u përgatitur për të mos lejuar zgjerimin e influencës së këtyre fuqive në forma që mund të vinin në rrezik vetë anëtarët e aleancës. Zoti Stoltenberg flet për projekte të instrastrukturës dixhitale dhe fizike për të mos lejuar që Kina, një ndër fuqitë që po investon fuqimisht në projekte në të gjithë botën, të bllokojë aftësitë operuese të Aleancës:

“Operacionet tona ushtarake varen nga infrastruktura civile: rrugët urat, aeroportet, kabllot e komunikimit përmes Atlantikut. Prandaj kemi krijuar udhëzuesin e operimit. Po ashtu kemi ndryshuar kërkesat për sistemet e telekomunikimit. Tani kërkojmë instalimin e teknologjisë 5G në zonat ku vërejmë ndryshime të mëdha”.

Zoti Stoltenberg thotë se këto kërkesa nuk mund t’u imponohen vendeve jo-anëtare, si për shembull Serbia, por është një kërkesë e detyrueshme për vendet që kërkojnë të aderojnë:

“Vendet që futen në NATO duhet të kenë linja të sigurta dhe të besueshme komunikimi. Kemi kërkesa specifike për infrastrukturën civile dhe për rrjetin 5G, për vende të reja anëtare si për shembull Maqedonia e Veriut”.

NATO-ja do të vazhdojë politikën e dyerve të hapura, thotë zoti Stoltenberg;

“Kur fqinjtë tanë janë më të stabilizuar, ne jemi më të sigurtë. Kur fqinjtë tanë futen në NATO, ne bëhemi më të stabilizuar dhe më të sigurtë”.

Suksesi më i madh i Aleancës së Atlantikut Verior është se bëri të mundur përfundimin e Lutës së Ftohtë pa një të shtënë. Por misioni i NATO-s nuk përfundoi me kaq. Alanca përballet me sfida të reja, thotë Sekretari i saj i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg. Ai shprehet i bindur se organizata që drejton do të jetë në gjendje të përshtatet me realitetin e ri dhe t’u përgjigjet rreziqeve e krizave të reja që do të lindin.

Marketing