Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë qëndrimit në Tiranë tha se Rusia vazhdimisht përpiqet që të përfshihet në institucionet e NATO-s. Stoltenberg këtë e deklaroi pas pyetjes së gazetarëve nëse Rusia ka dorë në destabilizimin e rajonit, duke marrë si shembull përfshirjen e mundshme në protestat në Serbi, Shqipëri dhe vendet e tjera.

“Kemi parë përpjekje të Rusisë për tu përfshirë në institucionet tona demokratike dhe tek anëtaret tona. Tek situata në vendin tuaj do t’ia lija kryeministrit të flas për këtë. Por përpjekjet e Rusisë për tu përfshirë në institucionet e brendshme janë të papranueshme”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri Rama, tha se Rusia gjithmonë ka qasje negative ndaj NATO-s.

“Nuk është sekret ose së paku është sekret publik që qasja e Rusisë ndaj NATO-s dhe institucioneve të saj nuk është pozitive. Në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe me sa duket do të përpiqen që të ndodhin këtu. Do të ishte pa diskutim një njollë e pashlyeshme në vendin tonë si anëtare e NATO-s e cila nuk është një Aleancë ushtarake por është një aleancë ushtarake e një grupi vendesh që ndajnë vlera”, deklaroi Rama.

Gjatë vizitës në Shqipëri, ai falënderoi armatës e saj që vazhdimisht kontribuon në misionet e NATO-s dhe u shprehu ngushëllime shqiptarëve për humbjen e dy ushtarëve të saj në misionet ndërkombëtare disa javë më parë. Pas vizitës në Shqipëri, kreu i NATO-s sonte do të aterojë në Maqedoninë e Veriut.