Stoltenberg viziton Tiranën dhe Shkupin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa do të takohet me drejtuesit e lartë nga të dy vendet.

Sipas njoftimit zyrtar nga Aleanca, Stoltenberg sot do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Në përfundim të takimit, Stoltenberg dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.

Pas vizitës në Shqipëri, Stoltenberg do të udhëtojë për vizitë dy ditore në Maqedoninë e Veriut, ku do të takojë krerët shtetëror dhe do të udhëheqë delegacionin e tij në takimin midis Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe Komitetit për Integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Stoltenberg do të pritet nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili organizon darkë për delegacionin e Këshillit të Atlantikut të Veriut, të kryesuar nga Stoltenberg.

Të hënën, kryeministri Zoran Zaev organizon pritje solemne me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ceremoni e cila do të mbahet para godinës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit në godinën e qeverisë, Zaev dhe Stoltenberg do të marrin pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut me Komitetit për Integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, pas së cilës do të adresohen në një konferencë të përbashkët për media.

Stoltenberg vizitën zyrtare do ta përfundojë me një takim me presidentin Stevo Pendarovski në pallatin presidencial “Vila Vodno” në Shkup.

Këshilli Veri-Atlanik është trupi kryesor politik që sjell vendime në NATO. Këshilli i mbikëqyr politikat dhe proceset ushtarake në lidhje me çështjen e sigurisë që ndikojnë në Aleancë. E përbëjnë përfaqësues të të gjithë vendeve, ndërsa kryesues është sekretari i përgjithshëm.

Stoltenberg dhe përfaqësuesit e lartë të NATO-s vijnë në vizitë në Shkup për herë të parë pas nënshkrimit protokollit për anëtarësim të vendit në Aleancë.

Shqipëria prej 10 vitesh është vend anëtar i NATO-s, ndërsa Maqedonia e Veriut është në pritje të përfundimit të miratimit të protokollit të anëtarësimit nga vendet anëtare, që të anëtarësohet zyrtarisht në NATO.