Strugë/ Nuk ka raste të reja me Kovid 19, kërkohen masa lehtësuese

Ka disa ditë që në Strugë nuk janë regjistruar raste të reja me të infektuar nga Covid 19, ndërsa numri i të shëruarve rritet çdo ditë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në qytet dhe rrethinë është 67 përfshirë 13 viktima.

Marketing

Pas mbledhjes së kryetarit të komunës së Strugës me bizneset e turizmit, nga komuna kanë bërë kërkesë që të hapen hotelet dhe restorantet.

Këtë e konfirmoi për TVM2, shefi i kabnitetit të kryetarit të komunës, Dashmir Nasufi.

“Mendojmë që duhet gradualisht t’i lëvizim disa gjëra në pozitivitet, duke filluar me hoteleritë dhe bizneset lokale, restorantet të fillojnë të hapen. Kjo do të bëhet si kërkesë ndaj shtabit qëndror, sigurisht që ata vendosin pastaj më tutje se si duhet të veprohet. Mirëpo ne erdhëm në përfundim që duhet të kërkojmë që të hapen hotelet se jemi vend turistik dhe jetojmë nga turizmi” – tha Dashmir Nasufi nga Komuna e Strugës.

Duke qenë se shumë biznese në Strugë bashkëpunojnë me Shqipërinë, nga komuna e Strugës kanë bërë të ditur se kanë kërkuar që të hapet kufiri i Qafëthanës.

“Ne jemi të lidhur ngushtë me Shqipërinë, bizneset kryesisht në komunën e Strugës funksionojnë me punonjës nga shteti i Shqipërisë dhe mendojmë që të bëjmë kërkesë gjithashtu edhe për hapjen e kufirit të Qafëthanës, me qëllim që lëvizja të jetë më e lehtë dhe të fillojnë gradualisht bizneset të funksionojnë normalisht” – deklaroi Nasufi.

Nga komuna gjithashtu kanë kërkuar që të shkurtohet sa më shumë ora policore. Është marrë vendimi që nga e hëna të fillojë me punë edhe transporti publik, me qëllim që qytetarët ta kenë më të lehtë lëvizjen.

Marketing