Strugë, nxënësit e shkollave të mesme në protestë

Nxënësit e shkollave të mesme në Strugë bojkotuan mësimin online e në vend se të uleshin para kompjuterëve, protestuan para komunës. Paralajmëruan bojkot të platformës dhe kërkuan t’u lejohet të mësojnë në klasa.
“Jemi mbledhur të gjithë bashkë, që të brohorasim fort, ashtu siç na kanë mësuar profesorët tanë. Ne dimë të dalim nga baltëvina që na ka zhytur qeveria. Kërkojmë të na hapni dyert e shkollave dhe jo të kafeneve.”,- tha një nxënës.
“Ne sot i themi jo imponimit të mësimit online, i cili rëndon në psikikën tonë. Kërkojmë të ulemi në bankat shkollore dhe të socializohemi me moshatarët tanë.”,- theksoi një nxënës.
Protesta u mbështet edhe nga komuna e Strugës. Nga atje kanë dërguar kërkesë në MASh që mësimi në Strugë të realizohet me prani fizike.
“Vendosëm që të kërkojmë nga Ministria e Arsimit që kjo pjesë të mbulohet me pjesëmarrje fizike, duke respektuar të gjitha masat e vendosura nga ekspertët dhe qeveria, sot është dërguar kërkesa në Ministrinë e Arsimit dhe presim përgjigjje pozitive.”,- theksoi udhëheqësi i sektorit të arsimit në komunën e Strugës, Dashmir Nasufi.
Edhe disa shkolla fillore në Strugë dhe rrethinë kanë bojkotuar mësimin, ndërsa nxënësit deri në klasën e tretë, shkuan në shkollë me maska dhe dezinfektues, duke iu përmbajtur të gjitha masave.
Marketing