Strugë, nxënësit pezullojnë bojkotin dhe protestat

Nxënësit e shkollave të mesme të Strugës kanë pezulluar bojkotin e mësimit online, të filluar që në 1 tetor. Ata thonë se momentalisht do të kyçen në platformë, duke qenë se situata epidemiologjike është e rëndë. Por, nuk do të heqin dorë nga kërkesa për mësim me prani fizike. Pasi të përmirësohet gjendja, ata do të vazhdojnë përsëri bojkotin dhe protestat.
“Bazuar në gjendjen epidemiologjike në vend, ne si këshill organizativ kemi vendosur që të pezullojmë përkohësisht protestat dhe bojkotin, deri në hapat e radhës, derisa situata epidemiologjike në vend të jetë qetësuar. Kjo nuk do të thotë se ne pajtohemi me mësim nga distanca, por qëllimi është që të mos vendosim jetën e askujt në rrezik.”,- tha një nxënës nga Këshilli Organizativ.
Nxënësit ankohen se e kanë shumë të vështirë të kyçen në platformën e mësimit online. Ankohen për  probleme në pjesën teknike dhe se nuk kanë internet aq të fortë sa kërkon kyçja në platformë.
“Hasim shumë probleme si tek interneti ashtu edhe tek mjetet teknologjike, shpesh ndodh që profesorit të mos i vijë zëri dhe nuk mundemi që të dëgjojmë. Ndodh që edhe lidhja e internetit të bie shpesh që mos mund të kyçemi dhe na nxjerr nga lidhja e platformës”,- u shpreh një nxënës.
Me mësimin online kanë filluar edhe disa shkolla fillore të cilat e bojkotonin mësimin. Ata gjithashtu kanë probleme me kyçjen në platformë, megjithatë thonë se nuk duan të humbin mësimin
Marketing