Lëvizja BESA e Afrim Gashit, siç duket, ka filluar t’i mobilizojë strukturat partiake gjithandej Maqedonisë, duke kërkuar nga organet partiake dhe aktivistët e saj, që të mobilizohen maksimalisht në terren që referendumi për çështjen e emrit të merr epilog pozitiv.

Sipas informatave jozyrtare, marrim vesh se ditë më parë kryetari i BESËS, Afrim Gashi, në selinë e kësaj partie në Tetovë ka realizuar takim me gjithë kryetarët e degëve të BESËS, duke kërkuar nga këta të fundit që t’i mobilizojnë sa më parë strukturat e saja partiake për çështjen e referendumit, shkruan portali BesaBesë.

Gashi gjatë takimit në fjalë ka bashkëbiseduar dhe e ka analizuar për së afërmi situatën aktuale politike në vend, duke theksuar se Maqedonia tanimë gjendet para një momentumi historik të anëtarësimit të saj drejt familjes euro-atlantike NATO dhe BE. Sipas po të njëjtit burim, marrim vesh se kryetari Gashi ka folur edhe për rëndësinë dhe peshën e madhe të referendumit që ka vendi ynë, duke thënë se Maqedonia po ecë drejtë një të ardhme më të mirë dhe se Lëvizja BESA është për të ardhmen euro-perëndimore të vendit. Ai është shprehur optimist se së shpejti do të vijnë ditë më të mira për të gjithë qytetarët.