Stuhia “Filomena” paralizon Spanjën, mbyllen shkollat

Shkollat, gjykatat dhe muzetë vijojnë të jenë të mbyllura në Spanjën Qendrore pasi prej dy ditësh rajoni është goditur nga një stuhi e fortë dëbore.

Marketing

Zyrtarët ju kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi pasi stuhia Filomena solli reshjet më të dendura të 50 vjetëve të fundit, duke shkaktuar deri më tani edhe tre viktima.

Ekipet e emergjencave dhe forcat e ushtrisë po punojnë pa pushim që prej së premtes. Ndërhyrja e ushtrisë në Madrid mundësoi rihapjen e aeroportit të dielën.

Pavarësisht ndërhyrjeve dhe punës për pastrimin e rrugësve, në kryeqytetin spanjoll janë të kalueshme vetëm rrugët kryesore. Një pjesë e banorëve janë angazhuar vullnetarisht për hapur rrugët e bllokuara, sidomos pranë spitaleve.

“Të gjithë miqtë tanë ranë dakord të dalin dhe të pastrojnë rrugën, si korsinë e autobusit ashtu edhe rrugën para spitalit Gregorio Maranon. Dëshirojmë që njerëzit të ecin të qetë dhe të sigurtë,” thotë 22-vjeçarja Rocio Sedano.

Rajoni i Madridit është ndër më të prekurit, ku ky nivel dëbore nuk ishte parë që prej vitit 1971. Nga ana tjetër, qeveria thotë se kaosi i shkaktuar me udhëtimet nuk do të ndikojë shpërndarjen e vaksinës, ku vetëm të hënën u shpërndanë 350 mijë doza.

Meteorologët parashikojnë që stuhia Filomena të kalojë në lindjen e Europës, duke sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave.

Marketing