Sugareski: Kërkojmë zgjidhje që të mos ndërpritet treni ndërkombëtar Beograd-Selanik-Beogra

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski thotë se po bën përpjekje që të mos realizohet ndërprerja e paralajmëruar nga 1 tetori e linjës ndërkombëtare hekurudhore Beograd-Selanik-Beograd që transiton përgjatë Maqedonisë.

Marketing

“Kjo linjë është me rëndësi të madhe për Republikën e Maqedonisë. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që ta tejkalojmë disi këtë problem, por nuk varet nga ne. Përgjigjja e tyre është se linja nuk ka përfitime ekonomike”, deklaroi Sugareski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës në Vizbeg.

Siç tha, përsëri do të bisedojë me ministren serbe për Ndërtimtari, Komunikacion dhe Infrastrukturë Zorana Mihajjloviq për linjën për të cilën tashmë kanë biseduar para disa muajve gjatë vizitës në Beograd.

Në këtë rast, thotë, nuk është problem Qeveria e Maqedonisë, por Hekurudhat e Serbisë të cilat vazhdimisht i referohen asaj se nga linja nuk ka përfitime ekonomike.

“Në këto dhjetë ditë deri në fund të muajit do të bëj çmos që kjo të mos ndodhë, nëse ka nevojë edhe me vizitë dhe biseda të reja. Ajo që i përket Qeverisë së Maqedonisë pohoj se do ta bëjmë, por rasti nuk varet vetëm nga ne”, tha Sugareski.

Ai nuk dëshiron të flasë për alternativa sepse, siç tha, qëllimi është që linja ndërkombëtare të mbetet. Ashtu siç e kanë informuar, ndërprerja e saj është kërkuar disa vite me arsyetimin se nuk ka përfitime ekonomike.

Nga Hekurudhat e Maqedonisë Transport SHA Shkup paraprakisht informuan se po bëjnë përpjekje që të mos ndërpritet treni i vetëm ndërkombëtar përgjatë Maqedonisë. Në kërkesën e tyre për takim me drejtorin e “Serbia voz” Jugosllav Joviq, morën përgjigje se për shkak të angazhimeve të tij në periudhën në vazhdim takimi do të mund eventualisht të mbahet rreth datës 26 të këtij muaji, vetëm disa ditë para ndërprerjes së trenit, pasi që të kthehet nga udhëtimi zyrtar dhe pas rregullimit shtesë të orareve të mundshëm.

“Serbia voz” që nga janari i këtij viti i kishte njoftuar HM Transport se në pajtim me TRAINOSE grek, kishin sjellë vendim për ndërprerjen e linjës për shkak se nuk ka përfitime ekonomike. Vendimin e këtillë e kishin sjellë si drejtori të hekurudhave prej nga niset gjegjësisht arrin treni, ndërsa HM Transport si drejtori hekurudhore transite ka të drejtë që të paraqesë ankesë.

Marketing