Suksesi i Zaevit, “Tym i bardhë në Shkup, mjegull në Athinë”

Vetëm disa çaste pasi Parlamenti në Shkup votoi me 81 vota ndryshimet kushtetuese me bazë Marrëveshjen e Prespës, kryeministri grek Alexis Tsipras i ka telefonuar homologut të tij Zoran Zaev, duke e përgëzuar për suksesin e përfundimit të këtij procesi.

Pasoi një “cicërimë” e arkitektit të palës greke në këtë marrëveshje, ish ministrit të Jashtëm Nikos Kotzias, që shkruan në llogarinë e tij: Maqedonia e Veriut, mirëseerdhe në jetën tonë!

Por, ndërsa përqafimet dhe urimet në Shkup kanë mbaruar mbrëmjen e së premtes, që të hyjë në fuqi kjo marrëveshje e rëndësishme duhet të kalojë edhe nga Parlamenti grek, aty ku skena politike po zien në javët e fundit dhe polarizimi ndodhet në pikën kulmore.

“Tym i bardhë në Shkup, mjegull në Athinë”, është titulli karakteristik i “Gazetës së Redaktorëve”, që pasqyron realisht gjendjen, pasi për pak ditë kryeministri grek do të sjellë për miratim marrëveshjen në Parlament, aty ku aleati i tij qeveritar, kreu i partisë “Grekët e pavarur”, Panos Kammenos këmbëngul të mos e votojë atë, transmeton Gazeta Lajm.

Ndërkohë, Alexis Tsipras thekson se, ai do të vazhdojë të qeverisë edhe me pakicë parlamentare, ndërsa paralajmëron kundërshtarët e tij politikë se, në rast se do të kërkojnë votëbesimin e qeverisë në Parlament, ai ka 151 nga 300 deputetët që do ta mbështesin kabinetin e tij deri në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat ai ripërsërit se do të zhvillohen në tetor.

E ndërsa pritet një takim midis kryeminsitrit Tsipras dhe aleatit të tij Kammenos, ku do të vendoset divorci politik ose bashkëjetesa e mëtejshme deri në zgjedhje, partia qeveritare akuzon opozitën e “Demokracisë së Re” se një zyrtar i lartë i saj ka dërguar mesazhe kërcënimi për çdo deputet konservator që do të votojë pro Marrëveshjes së Prespës.