Kryetari I BFI-së të Maqedonisë Sulejman Ef. Rexhepi, në një prononcim në kuadër të emisionit “Në Fokus” në Art Channel, ka përgënjeshtruar informacionet e plasuara në disa media maqedonase, për hirë të së vërtetës, të pozicionuar kah opozita, se gjoja i ka bërë thirrje popullatës muslimane në Maqedoni që të rreshtohen krah Zoran Zaevit.

Rexhepi ka thënë se ka qenë pikërisht Zoran Zaevi, atë kohë lider i opozitës maqedonse, i cili i ka kërkuar ndihmë kreut të BFI-së, që të realizojë një takim me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, në periudhën kohore para zgjedhjeve parlamentare. Kreu i BFI-së thotë se “amanetin e dërgoi në vend”, por mbetet në qëndrimin se premtimet e dhënë nga Zaevi, për pronat e BFI-së, as pas një viti në pushtet nuk ka arritur t`i realizojë.

“Ai më premtoi mua, nëse vij në pushtet, të gjitha pronat do t`ua kthej vetëm me një vendim. Kur e pyeta se me cfarë mendimi I bëre këto premtime – nuk pati përgjigje. Unë “bombën” e Zaevit e kam në xhep dhe I kam thënë se kurdoherë do ta përdori” – shprehet Kryetari i BFI-së.

Kryetari i BFI-së Sulejman Ef. Rexhepi mbetet në qëndrimin se shteti për ndonjë Bashkësi fetare është nënë, kurse për të tjerët njerkë. Ai nuk ka hezituar të theksojë se KOM-i ka privilegje të favorizuara nga shteti, kurse BFI-ja nuk e ka këtë privilegj.

Gjatë qeverisjes së kaluar – thotë Rexhepi – privilegjet për KOM-in vinin nga qendra e VMRO-DPMNE-së dhe ish-lideri i kësaj partie Nikola Gruevski. Ai thotë se partitë shqiptare nuk e kanë pasur këtë forcë. Kreu i BFI-së madje thotë se “ky shtet është ndërtuar mbi vakëfet e BFI-së”.