20 vjeçari Ubejd Shehazi me banim në Shkup mbrëmë ishte cak i sulmeve të personave të maskuar duke marrë lëndime në pjesën e djathtë të stomakut. Siç rrëfen vet ai, ngjarja ka ndodhur në qytet derisa ai ishte nisur për të pirë kafe në një nga lokalet e qytetit.

Fillimisht, ai thotë se është goditur në pjesën e pasme të qafës për të vazhduar sulmi me një mjet të fortë të cilin nuk ka arritur as ta mësoj se për çfarë mjeti bëhet fjalë.

Isha duke fol në telefon, më kanë dëgjua se jam shqiptar edhe kanë ardhe më ka godit pas qafe edhe nxjerrën një mjet, nuk e di çka ishte, unë për fat ia ndala dorën. Ishte ora ndoshta 21 e 30 ose 22. Isha duke dal në kafe. Ishin tre persona me maska. Kam shkua deri te një kafe tjetër edhe aty e kam humb vetëdijen” tha Ubejd Shehazi, i plagosur.

Gjatë ditës, Shehazi ishte i shtrirë në spitalin e qytetit por jashtë rrezikut për jetë. Nga MPB-ja e konfirmuan rastin në fjalë duke shtuar se kanë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Edhe në buletinin e policisë mes tjerash thuhet se ngjarja ka ndodhur mbrëmë në orën 22, në rrugën “Kej Dimitar Vllahov” kur personi i lartpërmendur është sulmuar fizikisht dhe me një mjet të mprehtë nga persona të panjohur duke i shkaktuar lëndime në pjesën e barkut.