Rifillimi i futbollit në Portugali u shenjua nga një ngjarje e rëndë ku u përfshi autubusi i skuadrës kryesuese të kampionatit, Benfica.

Në momentin kur skuadra ishte larguar nga stadiumi, pas barazimit 0-0 me Tondelën, u sulmua me gurë nga disa të panjohur, duke shkaktuar panik mes futbollistëve dhe stafit.

Dy lojtarë të “shqiponjave”, serbi Zivkovic dhe gjermani Weigl, pësuan dëmtime nga ciflat e xhamave që u thyen nga goditjet e forta me gurë. Ata u dërguan në spital, ku morën shërbimin e duhur shëndetësor.

Sipas një deklarate të lëshuar këtë mëngjes nga Benfica, ngjarjet kanë ndodhur ndërsa autobusi po kthehej në qendrën stërvitore Seixal.

Si masë paraprake, lojtarët Julian Weigl dhe Zivkovic u transferuan në Spitalin de Luz me lëndime të ndryshme, megjithëse asnjë prej tyre nuk pati plagë serioze. Klubi i Benficës dënon me forcë ngjarjen dhe kërkon zbulimin e autorëve: “Absolutisht e papranueshme që këto ngjarje të vazhdojnë të kenë vend në shoqëri. Ata nuk janë tifozë të futbollit, ata janë kriminelë”.

Sulmuesit nuk janë identifikuar ende, nuk dihet nëse ata ishin tifozë të Benifcas apo të një skuadre tjetër. Gjermani Weigl ishte gjithashtu në autobusin e Borussia Dortmundit, kur pësoi një sulm terrorist në vitin 2011 përpara një ndeshjeje në Champions League kundër Monacos.