Super Kupa e Italisë: Juventusi dhe Milani luftojnë për titullin historik

Stadiumi King Abdullah Sports City në Arabi Suadite, me kapacitet prej 60 mijë ulëseve, do të jetë skena ku do të takohet kampioni i Serisë A dhe Kupës së Italisë, Juventusi, me rivalin e vjetër, Milanin, për ndeshjen e Super Kupës së Italisë. Fituesi i kësaj ndeshjeje do të shkruhet në histori si klubi i parë me tetë tituj të kësaj gare.

Marketing

Që të dy ekipet do t’i kthehen ndeshjeve të futbollit sot në orën 18:30, pas pushimit dimëror. Në ndeshjet e fundit të zhvilluara, të dy skuadrat regjistruan fitore me rezultat 2:0, Juventusi ndaj Bolognës dhe Milani kundër Sampdorias, transmeton Gazeta Express.

“Zonja e Vjetër” e nis këtë ndeshje si favorit për shkak të renditjes në tabelën e Serisë A, ku është lidere me plot nëntë pikë larg klubit në vendin e dytë. Deri më tani, skuadra e Massimiliano Allegrit i ka fituar 17 ndeshjet dhe i ka barazuar dy. Milani, në anën tjetër, e gjen veten në pozitën e katër, plot 22 pikë Juventusit.

Pasi që dy vjetët e fundit, Juventusi nuk kishte arritur të shpallet kampion i Super Kupës së Italisë, djelmoshat e Allegrit janë të motivuar ta marrin më në fund këtë titull.
Përderisa në këtë ndeshje do të hyjë në lojë edhe krenaria pasi që të dy ekipet do të tentojnë të bëhen klubi i parë me tetë tituj të Super Kupës, Allegri e ka cilësuar këtë ndeshje si stërvitje për Ligën e Kampionëve.

“Kjo është një stërvitje e mirë për fazën eliminuese të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Allegri, edhe pse më vonë bëri të ditur se ai do të tentojë ta fitojë këtë ndeshje qysh në kohën e rregullt, për t’i ikur kohës shtesë dhe penalltive.
Në stolin tjetër të stadiumit King Abullad Sports City do të jetë i ulur Gennaro Gattuso, i cili është i vetëdijshëm për sfidën e vështirë që e ka skuadra e tij përpara, pasi që në maj të vitit të kaluar kishte humbur me rezultat 4-0 në finalen e Kupës së Italisë kundër po të njëjtit rival.

“Jemi kundër një skuadre që ka qenë duke dominuar plotësisht në Itali dhe në Evropë përgjatë tetë vjetëve të fundit. Ata e dinë si të luajnë për trofe, por është e rëndësishme për ne që jemi këtu dhe ta marrin këtë përvojë”, ka thënë Gattuso.

Marketing