Superliga e Kosovës, kërcënim për skuadrat e rajonit

Investimet e mëdha dhe shumat marramendëse që janë duke i shpenzuar sivjet klubet kosovare kanë nisur t’i shqetësojnë skuadrat nga Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia Veriore, futbollistët e të cilave tash Kosovën po e shohin si një trampolinë për t’u ngritur në karrierë

Marketing

Nëse në të kaluarën Superliga e Kosovës në futboll nuk figuronte as nëpër hartat e vendeve evropiane e lëre më ta shohin si rivale, sot ajo është shndërruar në një kampionat të frikshëm për vendet e rajonit. Investimet që janë duke i bërë sivjet klubet kosovare kanë nisur t’i shqetësojnë skuadrat nga Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia Veriore, futbollistët e të cilave tash Kosovën po e shohin si një trampolinë për t’u ngritur në karrierë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Gjilani, Drita e Llapi janë skuadrat që kanë sjellë lojtarë bukur të njohur nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut madje edhe nga Kroacia, derisa Prishtina e Feronikeli si gjithmonë mbesin në qendër të vëmendjes duke sjellë vazhdimisht risi. Kjo edhe është arsyeja të besohet se tash kampionati i Kosovës ka një rol më të madh në rajon dhe se me kalimin e kohës e me këtë ritëm të investimeve edhe niveli i garave do të rritet.

Sigurisht se në këtë ka ndikuar shumë edhe aprovimi i Ligjit për Sponsorizim, i cili ka nisur të shtyjë donatorët t’i afrohen futbollit. Gjithsesi, shqetësues për analistët e futbollit Gani Sejdiun, Arsim Plepollin e Erdin Hashanin është fakti se këto investime po bëhen në futbollistë bukur në moshë dhe me të drejtë mund të dyshohet nëse ata mund t’i ofrojnë diçka futbollit tonë në perspektivë ose jo.

Plepolli: Menaxhimi i mirë, çelësi i suksesit

Sabino Plaku, Gerhard Progni e Izair Emini janë disa nga emrat që dikur i kemi dëgjuar më endje në kampionatin shqiptar. Këta lojtarë në stinorin e ri djersën do ta derdhin nëpër fushat kosovare. Sigurisht që këta nuk janë të vetmit pasi ka edhe emra të shquar, që erdhën nga Shqipëria, si Argjend Malaj te Feronikeli e Argjend Mustafa te Drenica, derisa Gjilani dy ditë më parë zyrtarizoi edhe ish-futbollistin e Hajdukut, Tomislav Busiç. Se çfarë mund t’i sjellin futbollit tonë këto risi, mbetet të shihet, por është më se e sigurt se do ta bëjnë garën më atraktive për tifozët.

“Sivjet siç po duket përforcimet më të mëdha janë nga Shqipëria. Kemi ekipe që po investojnë shumë e qe besa edhe shuma e transferimeve është bukur e madhe. Unë mendoj se klubet duhet të kenë kujdes dhe të menaxhojnë mirë situatën e t’i vlerësojnë mirë se kush çka vlen, të mos i bëjmë transferimet për inat, por t’i bëjmë të qëlluara”, ka thënë Arsim Plepolli për gazetën “Zëri”.

“Unë besoj se këto transferime do të ndikojnë në ngritje të cilësisë këtë vit. Do të ketë rivalitet të madh dhe besoj se do të jetë kampionati shumë interesant”, ka vlerësuar Plepolli.

“Investimet gjithmonë janë të mira për futbollin, por mendoj se afër klubeve nuk ka njerëz që e njohin shumë lojën e futbollit. Duhet të kenë kujdes në menaxhim dhe duhet klubet tona të kenë drejtorë sportivë që e njohin këtë lëmi shumë mirë. Jemi vend i varfër financiarisht dhe nëse nuk e menaxhon mirë klubin shpejt mund të ketë rënie e të mos themi deri te shuarja e një klubi”, ka përfunduar Arsim Plepolli.

Sejdiu: Nuk jam ithtar i revolucioneve

Për trajnerin e mirënjohur kosovar Gani Sejdiun çdo investim në futbollin e Kosovës nga jashtë është i mirëseardhur, por sigurisht që investimet duhet të planifikohen mirë, pasi klubet duhet të mendojnë në shtigje afatgjate e assesi vetëm për një edicion.

“Këto klube që kanë bërë transferime të mëdha janë klube, të cilat kanë për objektiv daljen në Evropë dhe normal që bëjnë edhe këso prurjesh, të cilat kanë një CV të pasur si futbollistë, por njëkohësisht edhe të kushtueshme. Secila prurje e që konsiderohet si cilësore është e mirë e pozitive edhe për klubet, por edhe për vetë kampionatin, sepse në këtë mënyrë ngrihet edhe niveli i tij”, ka thënë Sejdiu për gazetën “Zëri”.

“Personalisht mendoj se duhet gjithsesi të marrim lojtarë të dëshmuar dhe cilësorë nëse kemi mundësi, por nuk jam ithtar i revolucioneve nëpër ekipe sa u përket përforcimeve, sepse kjo mund të jetë kundërproduktive dhe njëkohësisht u merr hapësira edhe talentëve tanë, për të cilët në këso situatash klubet duhet të mendojnë më shumë dhe të jenë më të mençur kur i planifikojnë përforcimet.

Gjithsesi mua më pëlqen kur shoh ardhjen e elementeve të tillë në kampionatin tonë, sepse definitivisht rrisin konkurrencën dhe e pasurojnë atë, por gjithë kjo duhet të planifikohet saktë e në perspektivë dhe jo vetëm për një sezon”, tha tekniku mitrovicas duke shtuar se kampionati i Kosovës megjithatë tash ka një respekt tjetër.

Hashani: Të mendojmë edhe për të ardhmen

Edhe për Erdin Hashanit prurjet janë të mirëseardhura, por ai beson se klubet po gabojnë pasi po mendojnë vetëm për një kampionat dhe nuk kanë plane afatgjate.

“Klubet tona po bëjnë shumë përforcime, por sikur nuk po e bëjnë me një plan afatgjatë, po secila skuadër po bën përforcime vetëm me një vit kontratë, hiç Prishtinën e cila çdo lojtar që e merr e ka me kontratë 2-vjeçare e më shumë, kjo i bie që Prishtina po mendon për më gjatë. Sa u përket transferimeve që po bëhet tash, janë shumë atraktive, por çka po bie në sy është se të gjitha përforcimet janë mbi moshën 30-vjeçare. Tash në Kosovë nuk është lehtë të luash. Vitin e kaluar kishim shumë përforcime, por nëse e shikojmë vetëm 30-përqindëshi i tyre ka mbetur, pjesa tjetër është larguar”, ka thënë Hashani, i cili gjithsesi pret ngritje të kampionatit të Kosovës.

“Ne po sjellim futbollistë nga jashtë Kosovës, po sa po prodhojmë futbollistë të rinj është pyetja? Ne këtë aspekt shumë pak jemi duke punuar që t’i japim përparësi futbollistëve të rinj. Normalisht këta futbollistë që kanë ardhur janë të dëshmuar, por kur të sjellim futbollistë nga jashtë Kosovës duhet të kenë kontratë se paku 2-vjeçare e jo vetëm me kontrata 1-vjeçare”, ka përfunduar Erdin Hashani.

Marketing