Tadiq paralajmëron për shpërthimin e një konflikti të ri Kosovë – Serbi

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, thotë se nëse problemi i Kosovës do të zgjidhej në atë mënyrë që njëra palë do të fitonte gjithçka dhe pala tjetër do të humbte gjithçka, një gjë e tillë, sipas tij, do të dërgonte në një konflikt të ri, shkruan Gazeta Express.

Marketing

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka folur për marrëveshjen e mundshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se nuk e përkrah as mendimin për vazhdimin e konfliktit të ngrirë ndërmjet dy shteteve, por nuk pajtohet as me ata zëra që thonë se Serbia duhet të dorëzohet për çështjen e Kosovës.

“Është e vështirë për të llogaritur se cili opsion është më i keq. Absolutisht nuk pajtohem me ata që mendojnë që duhet të vazhdohet konflikti i ngrirë, e as me ata që besojnë që duhet hequr dorë nga Kosova sa më parë të jetë e mundur, pasi asnjë prej tyre nuk i kuptojnë implikimet e qasjeve të tilla”, ka thënë Tadiq në një intervistë për ‘Blic.rs’, transmeton Gazeta Express.

Ai ka thënë se konflikti i ngrirë nuk do të mundë të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë për shkak të rritjes ekonomike dhe demografike të Serbisë.

“Të ashtuquajturit zëra modernistë të cilët thonë se duhet të tërhiqemi nga Kosova sepse konsiderojnë se tashmë ajo pjesë është e humbur, e pengon zhvillimin tonë të mëtejshëm ekonomik, pasi një vend që heq dorë aq lehtë nga pjesë të territorit të saj i dërgon sinjale të tjera se është në gjendje ta bëjë këtë edhe me pjesët e saj të tjera, dhe do të jepte një mesazh për investitorët se është një vend i paqëndrueshëm”, ka thënë ndër të tjera Boris Tadiq.

Ai ka thënë se partia e Aleksander Vuçiqit ka qenë një nga partitë e cila e ka sjellë këtë gjendje në raport me Kosovën, pasi, sipas tij, që nga vitet e 90-ta kanë bërë veprime të cilat e kanë ngushtuar hapësirën vepruese për zgjidhjen e problemit të Republikës së Kosovës.

Tadiq thotë se për të mbuluar këto dështime, tashmë ata akuzojnë qeverisjen paraprake në Serbi.Ish-presidenti serb thotë se vazhdon të mendojë se Kosova dyetnike ishte zgjidhja më e mirë.

“Të gjitha zgjidhjet tjera na dërguan në një situatë ku një palë merr gjithçka dhe një tjetër humb gjithçka, gjë që mund të dërgojë në një shpërthim të një konflikti të ri në të ardhmen”, ka thënë ndër të tjera politikani serb, Boris Tadiq. /GazetaExpress/

Marketing