Takim i dytë i Komitetit të përbashkët të ekspertëve nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia

Komiteti i përbashkët interdisiplinar i ekspertëve për çështje historike, arkeologjike dhe arsimore, i formuar në pajtim me obligimet nga Marrëveshja e Prespës, sot dhe nesër në Shkup do ta mbajë takimin e dytë.

Marketing

Nga MPJ greke kumtuan se zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Markos Bolaris, i cili njëherit është edhe në krye të komisionit nga ana greke, sot dhe nesër do të qëndrojë në Shkup, ndërkaq do të marrë pjesë edhe në pritjen që e organizon Zyra greke për lidhje me rastin e 25 Marsit, festës nacionale të Greqisë.

Edhe nga ana e vendit tonë është konfirmuar se sot fillon takimi dyditësh i ekipeve të ekspertëve të të dy shteteve.
Delegacionin grek që merr pjesë në komitet e prëbëjnë profesorët Spiridon Sfetas, Nikollaos Zaikos, Iakovos Mihailidis, Atina Skulariki, Atanasios Lubas dhe këshilltari nga MPJ greke, Eftimios Harlavtis.

Ekipin e vendit tonë e kryeson ambasadori Viktor Gaber, ndërsa në përbërje të tij janë edhe profesorët Dalibor Jovanovski, Nikos Çausidis, Ljudmil Spasov, Ana Çupeska-Stanishkovska, Fahri Ramadani dhe Kica Kolbe.

Në kontekst të mbajtjes së takimit të dytë, ambasadori Gaber për MIA-n deklaroi se pret në fokus të bisedimeve të cilat praktikisht janë të parat, të fillohet me librat e historisë dhe gjeografisë për arsimin fillor.
“I japim përparësi shqyrtimit të hartave të cekura dhe simboleve në këta libra që tek të rinjtë formojnë mendim, e me atë dëshirojmë ata të kenë realitet të pranueshëm për fqinjin”, tha Gaber.

Përpjekjet nga ana jonë, e besoj edhe nga ajo greke, do të jenë të arrijmë deri te rezultatet që të dyja vendeve do t’u ofrojnë një atmosferë të re në marrëdhënie sa i përket edukimit të gjeneratave të reja.
“Do të thotë nuk bëhet fjalë për ndonjë fshirje, por për adaptim që do të jetë në interes të afrimit të të dy popujve, dy shteteve”, thekson Gaber.

Ajo për të cilën insistojmë ne, thotë ambasadori Gaber, është të merret parasysh përvoja ndërkombëtare, posaçërisht ajo që është kodifikuar në dokumentet ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe UNESKO, sepse kjo është cekur edhe në vetë marrëveshjen dhe ajo që është nivel bashkëkohor i njohurive shkencore lidhur me trajtimin e kësaj materje.

Zëvendësministri grek i Punëve të Jashtme Bolaris, në intervistë për agjencinë greke të lajmeve dhënë muajin e kaluar, i paraqiti tre kërkesat që ia kanë parashtruar palës së vendit tonë në takimin e parë në Selanik: mësimdhënësit dhe profesorët të shmangin materiale që përmbajnë irredentizëm dhe revizionizëm, nga librat të hiqen simbolet antike greke dhe të mënjanohen hartat e Maqedonisë së madhe.

“Si nga ana greke ashtu edhe nga ana e Maqedonisë së Veriut komisionet janë formuar nga ekspertë të shkëlqyeshëm, të cilët tërësisht e kuptojnë punën që duhet ta bëjnë, në hollësi edhe njohin historinë e dy popujve, i respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe legjislaturën evropiane dhe janë në pozicion të sjellin drejtësi dhe ta tregojnë të vërtetën historike, duke i mënjanuar nënpikat propaganduese, ilustrimet e hartat që i modifikuan librat në dekadat e fundit”, thotë Bolaris.

Takimi i parë i Komitetit të përbashkët interdisiplinar i ekspertëve për çështje historike, arkeologjike dhe arsimore u mbajt në Selanik, më 2 nëntor të vitit të kaluar. pritet që takimet në të ardhmen të intensifikohen për shkak të arritjes së afateve të caktuara me Marrëveshjen e Prespës tashmë nga viti i ardhshëm mësimor të hiqen nga programet mësimore dhe nga librat pikat dhe hartat kontestuese dhe ilustrimet.

Marketing