Kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev i ftoi në takim sot në ora 18 në Klubin e deputetëve liderët e partive politike, të cilat kanë më shumë se një deputet në Kuvend. Pritet që në takim të bisedohet për tejkalimin e dallimeve me opozitën rreth përgatitjeve të referendumit për Marrëveshjen me Greqinë që duhet të mbahet në vjeshtë.
“Për shkak të momentit të jashtëzakonshëm politik, i cili imponon zgjerim të kornizës institucionale të takimeve të liderëve, në këtë takim në format 1+1 (lideri i parisë plus një përfaqësues i partisë politike), janë të ftuar partitë me më shumë se një deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, theksuan në kumtesën e Qeverisë.

Sipas asaj që u paralajmërua, janë ftuar liderët e BDI-së, Ali Ahmeti, liderët e dy krahëve të Besës, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, i PDSH-së Menduh Thaçi, i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, të VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, liderja e OBM-së Liljana Popovska, lideri i PLD-së Goran Milevski, i PRSD-së Tito Petkovski dhe i PSM-së, Lubisav Ivanov-Xingo.

Në takimin e liderëve, lajmëron MIA, pritet që të marr pjesë edhe lideri i opozitës Mickoski, edhe pse ende nuk ka konfirmim zyrtar nga partia. Praninë në takim e kanë konfirmuar Ahmeti, Petkovski i cili në takim do të marrë pjesë me Goran Misovskin, nënkryetar dhe deputet i kësaj partie, pjesë e koalicionit të LSDM-së, Popovska e cila do të vijë me deputeten Maja Moraçanin.

Kjo është hera e parë që takim i tillë i liderëve të mbahet me këtë përbërje, gjegjësisht të ftohen edhe liderët e partive të cilët kanë më shumë se një deputet në Parlament.
Kryeministri Zaev e caktoi takimin e liderëve pasi, siç u potencua, VMRO-DPMNE-ja opozitare e bllokoi procesin për zgjedhje të anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), i cili duhej ta organizojë referendumin për marrëveshjen e emrit me Greqinë. Qeveria dje propozoi, ndërsa Kuvendi e votoi nevojën e sjelljes së Kodit zgjedhor, sipas procedurës së shkurtuar dhe me flamuj evropianë. Me të parashikohet përbërja e KSHZ-së të votohet me 61 vota, ndërsa fshihet edhe paragrafi 3 i nenit 27, Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të mos e shqyrtojë propozimin. Ndryshimet përfundimisht duhet të sillen pas mbledhjes së Komisionit për Çështje Evropiane, për të cilën kryetari i saj Artan Grubi tha se ende nuk dihet se kur do të caktohet. Megjithatë, edhe Qeveria dhe Kuvendi lanë hapësirë që ndryshimet e Kodit zgjedhor të mos sillem përderisa arrihet kompromis me opozitën në takimin e sotëm të liderëve.

Kryeministri Zaev nga pres konferenca e djeshme me eurokomisarin Johanes Han në Shkup paralajmëroi se takimi i liderëve do të jetë për tejkalimin e dallimeve me opozitën rreth përgatitjeve të referendumit, që do të vijojë në Republikën e Maqedonisë.

“Të gjithë duhet të mbesim të përkushtuar në këtë moment, të ndihmojmë në këtë proces, siç tha eurokomisari, para se gjithash për të mirën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, por edhe për partnerët tanë në BE, dhe për atë me siguri nesër mbrëma do të konvokojmë takim liderësh që t’i përshpejtojmë proceset rreth përgatitjes së RM-së për referendumin e ardhshëm”, tha kryeministri.

Të hënën, megjithatë, kryeministri Zaev deklaroi se pret deri në fund të javës të rrumbullaksohet procesi rreth datës, çështjes dhe karakterit të referendumit për emrin.
“Këto punë presim deri në fund të javës së bashku me liderët politik, përfaqësuesit e partive politike parlamentare t’i definojmë për shkak të asaj që afatet mblidhen, koha mblidhet nëse duam t’i zëmë datat 23 shtator, 7 tetor si disa data të projektuara. Pres këtë javë të mund ta rrumbullaksojmë procesin edhe rreth datës së referendumit, çështjes dhe rreth karakterit”, deklaroi Zaev duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas fillimit të ndërtimit të fabrikës amerikane “Dura” në Bunarxhik.
\
Atëherë tha se vazhdojnë bisedat rreth ligjit për financim të partive politike dhe zgjedhjes së KSHZ-së, pjesa rreth qeverisë teknike, Procesi i Përzhinës, por që vëmendje meriton kërkesa e VMRO-DPMNE-së opozitare për zgjedhje të parakohshme parlamentare, para se të bisedohet për anëtarësimin në NATO dhe në BE, nëse, siç tha, kjo e garanton procesin e suksesshëm të referendumit.