Takim Osmani – Aselborn: Maqedonia ka miq të sinqertë përkrahjen e të cilëve e presim në këto momente vendimtare

Zëvendëskryetari për Çështje Evropiane Bujar Osmani, sot në Sekretariatin për Çështje Evropiane mbajti takim me Ministrin për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Zhan Aselborn.

Gjatë takimit, Zëvendëskryeministri Osmani, shprehu mirënjohje të thellë për vizitën e Ministrit Aselborn, si dhe për mbështetjen e përgjithshme të Luksemburgut për aspiratat tona euro- atlantike, që është më se e duhur dhe e mirëseardhur në këtë periudhë kyçe vendimtare për integrimin tonë euro- atlantik.

“Maqedonia tani më dy vjet po kalon një periudhë të fuqishme të tranzicionit, ku përmes mbështetjes së sinqertë të miqve tanë ndërkombëtar, krijojmë kushte për progres në integrimet evropiane dhe euroatlantike. Gjatë gjithë kësaj periudhe, vendi po ballafaqohet me sfida të numërta, e me siguri një prej sfidave më kryesore dhe më komplekse është sfida e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, me të cilën mbyllet një kontest afatgjatë mes dy fqinjëve Maqedonisë dhe Greqisë, i cili paraqiste pengesë të patejkalueshme në progresin e proceseve integruese” –theksoi Osmani në deklaratën e tij pas takimit. Në këtë kontekst ai potencoi se prania dhe mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtar paraqet akt të miqësisë dhe inkurajimit, mbështetje që është e mirëseardhur në veçanti në këto momente të vendimeve të rëndësishme.

Osmani theksoi se krahas aktiviteteve rreth referendumit, Qeveria, e posaçërisht unë si Negociator kryesor, por në përgjithësi edhe Sekretariati për Çështje Evropiane, si trup bartës i përgatitjeve për negociata, në mënyrë aktive po punojmë në procesin reformues, në përgatitjet për skriningun që pason, por edhe në përgjithësi, rreth përgatitjeve të përgjithshme të vendit për negociata.

evn