Takim Osmani- Roth: Referendum i suksesshëm do të thotë një hap më afër integrimit euro- atlantik

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane mbajti takim me Ministrin Shtetëror Gjerman për Evropë, Mihael Roth.

Zëvendëskryeministri Osmani fillimisht shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, reflektuar edhe përmes iniciativës “Procesi i Berlinit”.

Në vazhdim të takimit Osmani iu referua edhe rëndësisë së periudhës në të cilën gjendet vendi ynë në rrugën e saj euro- integruese, në kontekst të vendimit të më hershem të Këshillit të Evropës për kornizë kohore prej 12 muajsh, apo qershor të vitit 2019, për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Më pas, fokusi u vendos në përgatitjen e negociatave përmes skrining procesit si dhe thellimin e reformave dhe dhënien e rezultateve konkrete në pjesën e gjyqësorit, shërbimet e sigurisë, administratës publike duke mos e anashkaluar edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të gjitha fushat tjera kyçe.

“Jemi të vetëdijshëm për kompleksin e procesit, që përfshin një pjesë të madhe të legjislacionit të Bashkimit Evropian, i cili duhet të transponohet në legjislacionin nacional, por këto janë përfitime që çojnë drejt transformimit themelor të vendit në shoqërinë demokratike evropiane, me një treg funksional ekonomik, institucione efektive dhe administratë profesionale” – shtoi Osmani. Sekretariati për Çështje Evropiane dhe administrata e saj kanë përvojë shumëvjeçare, para se gjithash në implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, si dhe me infrastrukturën e saj të vendosur e cila është e gatshme për ti përmbushur gjitha sfidat.