Takim Xhaferi-Zemaj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot e pranoi ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Armend Zemaj.

Marketing

Në takim u bisedua për tema dhe interesa të përbashkët për përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe komunikimin e ndërsjellë profesional në favor të stabilitetit dhe gjendjes së qëndrueshme, duke e pasur parasysh situatën me pandeminë dhe goditjen e madhe që ia jep sistemeve shëndetësore dhe ekonomike të gjithë shteteve. Vetëm me veprim të përbashkët dhe të harmonizuar të të gjithë faktorëve do të mund të tejkalohet kriza shëndetësore me të cilën ballafaqohet bota.

Kryetari Xhaferi, ndër tjerat, u zotua për ndërmarrjen e hapave për lehtësimin e lëvizjes të qytetarëve të dy vendeve, duke e respektuar me këtë rast mendimin e trupave profesionalë. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut e përshëndet nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik që u nënshkrua në Uashington ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan se bashkëpunimi është në nivel të lakmueshëm dhe ndërmjet dy vendeve ekzistojnë komunikim i suksesshëm bilateral, besim dhe marrëdhënie të afërta politike. Ato vlerësuan se edhe më tutje duhet të vazhdohet me investim në bashkëpunimin e ndërsjellë i cili ka potencial të fuqishëm për ti përforcuar lidhjet bilaterale në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.

 

 

 

Marketing