Takime të Dimitrovit me eurodeputetë në Strasburg

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov sot po qëndron për vizitë pune në Parlamentin evropian në Strasburg, ku realizoi disa takime me liderë dhe përfaqësues të grupeve të deputetëve në PE.

Marketing

Siç informon MPJ, Dimitrov realizoi takime me Gi Verhofshtad – kryetarin e ALDE, Rajnhard Butikofeer, kryetar i Partisë së gjelbër evropiane, kryesuesin me grupin e Miqve të Maqedonisë – Hans van Balen, me kryesuesin me Komisionin për punë të jashtme (AFET) – Dejvid MekAlister nga Partia popullore evropiane, me nënkryetarin e Parlamentit evropian – Andrej Kovaçev, gjithashtu nga EPP, me Sergej Stanishev – kryetar i Partisë së socialistëve evropianë dhe me bashkëpartiakun e tij Knut Flekenshtajn, si dhe me Çarrls Tanok nga grupi Konservatorët dhe reformatorët evropianë.
Në takimin me eurodeputetët, ministri Dimitrov bisedoi për ngjarjet aktuale pas konkludimeve të Këshillit të Evropës javën e kaluar, në kontekst të fazave të mëtutjeshme të BE procesit integrues të Republikës së Maqedonisë.

“Fakti që Bullgaria dhe Greqia u angazhuan ashtu fuqishëm për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë, në të vërtetë do të thotë se në rajonin tonë arritëm ta krijojmë atë për të cilën fliste Shumani: Evropa nuk do të ndërtohet menjëherë apo sipas një plani të vetëm, por përmes arritjeve konkrete, të cilat së pari do të krijojnë solidaritet faktik”, porositi Dimitrov, thekson MPJ në kumtesë.

Dimitrov mori pjesë edhe në takimin e grupit politik ALDE, ndërsa pati takime të veçanta edhe me Ivo Vajgëll, raportuesin për Republikën e Maqedonisë në parlamentin evropian, me Tanja Fajon nga Partia e socialistëve evropianë, si dhe drekë pune me eurodeputetin Arno Danzhan nga Partia popullore evropiane.

Në fund të vizitës, shefi i diplomacisë së Maqedonisë pati darkë pune me disa europarlamentarë, në organizim të eurodeputetit holandez, Hans van Balen.