Takimi Hoti-Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë shtyhet për 4 shtator

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 4 shtator në Uashington, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga administrata amerikane.

Marketing

Takimi, që fillimisht u caktua për 2 shtator, është shtyrë për 4 shtator, tha zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Ullyot.

“Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në Uashington më 4 shtator. Bisedimet janë shtyrë për dy ditë, nga 2 shtatori kur ishin paraparë që të mbaheshin, për arsye të planifikimit”, thuhet në përgjigje.

Ullyot thotë se Uashingtoni mirëpret bisedimet e 4 shtatorit, të cilat, sipas tij, do të kenë në fokus çështjet ekonomike.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin këto bisedime të rëndësishme ndërmjet kryeministrit (të Kosovës, Avdullah) Hoti dhe presidentit (të Serbisë, Aleksandar) Vuçiq. Ne besojmë në përparim në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, si hap i parë drejt përparimin në procesin e paqes”, tha ai.

Më herët nga administrata amerikane kanë konfirmuar për REL se nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për dialogun, Richard Grenell.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë të shtunës, duke folur për ndryshimin e datës së takimit të paraparë fillimisht për 2 shtator, tha se mund të ketë ndodhur pasi edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mund të marrë pjesë në të.

“Për shkak të mundësisë, por mos më mbani për fjale, por thonë që ekziston mundësia që të paraqitet presidenti i SHBA-së Donald Trump, në rast se ne merremi vesh për diçka”, theksoi Vuçiq të shtunën, më 22 gusht, gjatë një interviste në Televizionin serb “Prva”.

Pavarësisht se në media u raportua se takimi në Uashington më 2 shtator mund të shtyhej, kabineti i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti thanë se zyrtarisht nuk mund ta konfirmonin një lajm të tillë.

Ndonëse Uashingtoni ka paralajmëruar se takimi në Shtëpinë e Bardhë do të ketë për temë çështjet ekonomike, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se do të ishte mirë që Kosova në këtë takim të shkojë për marrëveshje finale me Serbinë, e cila sipas tij, duhet të ketë njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Marketing