Takimi i liderëve, vendim unanim për pezullimin e zgjedhjeve

Liderët politikë në takimin te presidenti, ranë dakord që zgjedhjet të shtyhen për shkak të epidemisë me virusin Korona.

Marketing

Autorizuan presidentin Pendarovski që të ftojë ekspertë të fushës për të gjetur zgjidhjen juridike për pezullimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe caktimin e zgjedhjeve të reja.

“Besoj se do të gjenden edhe formulimet juridike, konform të cilave do të shtyhen zgjedhjet dhe konform të cilave do të caktohen këto zgjedhje. Po ashtu, besoj se institucionet e sistemit do të marrin vendim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në shtet.”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE është dakord për pezullimin e zgjedhjeve, por konsideron se mbledhja e Kuvendit pas vetshpërndarjes është në kundërshtim me kushtetutën. Në vend të gjendjes së jashtëzakonshme propozon gjendje krize.

“Njëzëri ramë dakord se pajtohemi se duhet të pezullohen zgjedhjet dhe të formohet ekip ekspertësh, në vend që të mblidhet Kuvendi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ky ekip ekspertesh të gjejë bazë juridike se si të shtyhen dhe si të caktohen sërish këto zgjedhje.”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Partitë e bllokut shqiptar konsiderojnë se shëndeti publik dhe përballja me epideminë është prioritet.

“Qëndrimi ynë është: ne duam të mundim virusin Korona dhe jo zgjedhjet, prandaj ndamë qëndrimin se BDI është për pezullimin e zgjedhjeve që situata të mos ketë ndikim në procesin zgjedhor.”,- theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

“Shpresojmë dhe besojmë se bashkërisht do t’ia dalim të fitojmë këtë betejë dhe kur do të krijohen kushte natyrisht që do të mbahen edhe zgjedhje në mënyrë që t’ia dalim edhe për betejën e radhës.”,- u shpreh kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.

“Së bashku vendosëm se kemi kushte minimale për të organizuar zgjedhje dhe vullneti i qytetarëve të përfaqësohet në organet e shtetit.”,- tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Palët janë dakord në parim që edhe pas pezullimit të zgjedhjeve të mbetet qeveria teknike, edhe pse kjo çështje nuk është diskutuar në takimin e liderëve.

Dominon bindja se me qeveri teknike dëshmohet unitet, ndahet përgjegjësia dhe nuk do të ketë kusuritje politike në periudhë epidemie.

Marketing