Takimi i mundshëm Putin-Zelenskiy dhe armëpushimi në Donbas

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy tha të hënën se kishte gjasa të takohej me Presidetin rus Vladimir Putin për të diskutuar konfliktin në lindje të Ukrainës. Ai tha se të gjitha palët ishin në “vijën e finishit” për të rënë dakord për një armëpushim të ri.

“Siç duket, gjithçka po shkon drejt faktit që ky takim do të zhvillohet”, tha ai.

Zoti Zelenskiy ka kërkuar një takim me homologun rus pasi të dy vendet shkëmbyen akuza lidhur me shkallëzimin e përleshjeve në konfliktin në Donbass dhe shtimin e trupave ruse përgjatë kufirit lindor me Ukrainën dhe në Krimenë e aneksuar.

Marketing

Rusia filloi tërheqjen e trupave javën e kaluar ndërsa zoti Putin tha se ishte i gatshëm të takohej me homologun ukrainas në Moskë. Zoti Zelenskiy tha se kishte udhëzuar shefin e tij të stafit të kontaktonte Kremlinin për të diskutuar se kur dhe ku mund të takoheshin dy udhëheqësit.

Trupat ukrainase kanë luftuar me forcat e mbështetura nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainës. Kievi thotë se 14 mijë njerëz kanë humbur jetën që nga viti 2014 në atë konflikt. Vetëm këtë vit, më shumë se 30 ushtarë ukrainas janë vranë pas prishjes së armëpushimit të arritur korrikun e shkuar.

I pyetur mbi mundësinë e një armëpushimi të ri për Pashkët Ortodokse, Presidenti Zelenskiy tha se, “Besoj se jemi tashmë në përfundimin e kësaj marrëveshje.”

Duke folur në një takim me rastin e 35 vjetorit të katastrofës bërthamore të Çernobilit, Presidenti Zelenskiy tha në fjalën e tij se nuk dëshironte që zona e konfliktit në Donbas të kthehej në një tjetër zonë të ndaluar si toka e ndotur përreth ish-centralit bërthamor.

“Ne nuk mund të kthehemi në kohë dhe të parandalojmë tragjedinë në centralin bërthamor të Çernobilit. Por ne patjetër që mund të bëjmë gjithçka sot për të parandaluar një tragjedi të ardhshme, që mund të ndodhë në Donbasin e pushtuar”, tha zoti Zelenskiy. /VOA

Marketing