Takimi Xhaferi – Vucas

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u takua me ambasadorin e Republikës së Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.T. Georg Vucas.

Marketing

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi që në parlamentin austriak para do kohe u formua Grupi i Miqësisë me Kuvendin dhe    që kryetarja e Grupit, znj. Stefani Krisper, në shkresë drejtuar kryetarit të Grupit nga ana jonë, deputetit Arbër Ademi, inicion intensifikim të bashkëpunimit në drejtim të mbështetjes së aspiratave tona për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut çmohet lartë fakti që Austria angazhohet në mënyrë të hapur për procesin e zgjerimit të BE-së dhe jep mbështetje të fuqishme të zbatimit të reformave, para së gjithash në drejtim të stabilitetit dhe sundimit të drejtës. Xhaferi shprehu shpresë se do të mund të llogarisim në mbështetjen austriake edhe në periudhën e ardhshme.

Ambasadori Vucas, nënvizoi se e pranuan me keqardhje lajmin për mosmbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian dhe e përsëriti pozitën e Austrisë se shtetet e Ballkanit Perëndimor edhe historikisht, edhe gjeografikisht takojnë në Evropë dhe se pa anëtarësimin e këtyre shteteve, Bashkimi Evropian nuk është i tërësishëm. Për Republikën e Maqedonisë së Veriut tha se paraqet shembull të ndritshëm për atë se si me vullnet të mirë tejkalohen dallimet dhe arrihet qëllimi.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në drejtim të formimit të Punëtorisë për demokraci në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas yrnekut të asaj që vepron në kuadër të parlamentit austriak.